Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, u kërkoi ligjvënësve amerikanë ta miratojnë ndihmën e re për Ukrainën, një ditë pasi republikanët e Senatit bllokuan një projekt-ligj financimi për Kievin.

“Unë nuk jam i shqetësuar për forcën, unitetin, konsensusin dhe trimërinë e popullit ukrainas… Jam i shqetësuar se nuk do të bëjmë atë që duhet të bëjmë” – ka thënë Cameron në Forumin e Sigurisë në Aspen në kryeqytetin amerikan.

Administrata Biden po i shqyrton kufizimet e reja se kush mund të kërkojë azil dhe një proces të zgjeruar dëbimi për të siguruar ndihmë të re për Ukrainën dhe Izraelin në një projekt-ligj shtesë financimi, tha një burim i njohur me diskutimet për Reuters.

Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi po garojnë për ta arritur një marrëveshje që do të ofrojë ndihmë ushtarake për dy vendet aleate, ndërsa do të dekurajojë imigracionin e paligjshëm përtej kufirit SHBA-Meksikë, vetëm një javë derisa ligjvënësit të nisen për pushimet e Krishtlindjeve.

Presidenti francez Emmanuel Macron u takua me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban në një përpjekje për ta thyer bllokadën përpara një samiti të BE-së pasi udhëheqësi hungarez kërcënoi se do t’i bllokonte bisedimet e pranimit të Ukrainës.

Macron e mirëpriti Orbanin në Pallatin Élysée për një darkë pune për t’i diskutuar, sipas presidencës franceze, “disa tema” në agjendën e samitit të BE-së javën e ardhshme, duke përfshirë “aspekte të ndryshme të mbështetjes evropiane për Ukrainën”.

Ukraina ka filluar të përdorë platformat e trenave për ta anashkaluar një bllokadë kufitare nga shoferët polakë të kamionëve, kanë thënë zyrtarë nga Ukrzalynitsya, rrjeti hekurudhor i Ukrainës. Treni i parë i vendosur në operacion lëvizi 23 kamionë përtej kufirit nga Ukraina në Poloni, thuhet në një deklaratë.

Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA i kanë akuzuar shërbimet ruse të sigurisë për përfshirje në një fushatë të vazhdueshme spiunazhi kibernetik kundër politikanëve të lartë, gazetarëve dhe OJQ-ve.

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) qëndron pas “përpjekjeve të pasuksesshme për të ndërhyrë në proceset politike të Mbretërisë së Bashkuar” dhe tha se e ka thirrur ambasadorin e Rusisë në Londër për këtë çështje.

Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida premtoi 4.5 miliardë dollarë për Ukrainën, duke përfshirë 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për të ndihmuar në mbështetjen e përpjekjeve të rimëkëmbjes së vendit të shkatërruar nga lufta në një samit në internet të vendeve kryesore industriale.

Ndihma humanitare prej 1 miliard dollarësh përfshin financimin për gjeneratorët dhe furnizimet e tjera me energji elektrike, si dhe masat për pastrimin e minave të vendosura nga Rusia, tha ministria e jashtme. Pjesa e mbetur prej 3.5 miliardë dollarësh përfshin financimin për garanci kredie për kreditë e Bankës Botërore për Ukrainën.

Kiev zyrtar ka rënë dakord me dy kompani amerikane për të prodhuar së bashku predha artilerie 155 mm në Ukrainë, ka deklaruar Oleksandr Kamyshin, ministër për industritë strategjike, megjithëse prodhimi nuk do të fillojë për të paktën dy vjet.

“Ne kemi marrëveshje me dy kompani kryesore amerikane për të prodhuar së bashku, në Ukrainë, municion të kalibrit 155” – ka thënë Kamyshin në komentet televizive.

Ligjvënësit në Rusi i kanë caktuar zgjedhjet presidenciale 2024 për 17 mars, duke e çuar Vladimir Putin një hap më afër mandatit të pestë në detyrë. Anëtarët e Këshillit të Federatës, dhoma e lartë e parlamentit të Rusisë, votuan unanimisht të enjten për të miratuar një dekret që përcakton datën./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala