Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Rusia shpreson ta thyejë mbrojtjen ukrainase në sektorin Kupiansk-Lyman të vijës së frontit në veri-lindje të Ukrainës, ka thënë të hënën komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, sipas Reuters. Gjeneral Kolonel Oleksandr Syrskyi u shfaq në videopamje duke u thënë ushtarëve se situata në vijën e frontit verilindor është “përshkallëzuar ndjeshëm” dhe ushtria ruse do “hakmarrje” duke e rimarrë territorin e pushtuar dikur.

Një përpjekje disaditore e forcave ruse për ta sulmuar një qytet strategjik të rëndësishëm në Ukrainën lindore duket se po zbehet, thanë zyrtarët e Kievit. Forcat ukrainase zmbrapsën 15 sulme ruse nga katër drejtime në Avdiivka gjatë 24 orëve të mëparshme, tha të hënën shtabi i përgjithshëm ukrainas.

Dronët e Rusisë janë kryesisht me burim nga Kina dhe Moska zyrtare do të shpenzojë më shumë se 618 milionë dollarë për një projekt të ri kombëtar për t’i bërë ato vetë, ka thënë ministri rus i financave, Anton Siluanov. “Detyra është që 41% e të gjithë dronëve deri në vitin 2025 duhet të kenë etiketën “Made in Russia”. Sot, dronët janë kryesisht nga Republika Popullore e Kinës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, në Pekin të mërkurën për bisedime, ka konfirmuar Kremlini. Ky do të jetë udhëtimi i parë i presidentit rus jashtë ish-Bashkimit Sovjetik që kur gjykata ndërkombëtare penale lëshoi një urdhër për të në mars për dëbimin e fëmijëve nga Ukraina. Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, mbërriti në Pekin të hënën.

Ukraina ka bërë thirrje që Rusia të përjashtohet nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke paralajmëruar se ky organ do të përballet me një “vdekje të ngadaltë” nëse Moska mbetet anëtare. OSBE-ja u themelua për t’i lehtësuar tensionet midis lindjes dhe perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë dhe i ndihmon anëtarët e saj të koordinohen për çështje si të drejtat e njeriut dhe kontrolli i armëve.

Moska mund të presë më shumë presion diplomatik nga OSBE-ja prej 57 vendesh, sipas kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut, e cila mban presidencën e rradhës të këtij organi. Ministri i Jashtëm i saj, Bujar Osmani, të hënën i kërkoi Rusisë t’i ndërpresë sulmet ndaj Ukrainës dhe t’i tërheqë forcat e saj.

Sekretarja amerikane e thesarit, Janet Yellen, ka thënë se mbështetja për Ukrainën mbetet një “prioritet kryesor” për SHBA-në dhe Evropën, duke e riafirmuar angazhimin e administratës së Biden për ta mbështetur Kievin “për aq kohë sa duhet”. Yellen u tha gazetarëve se Joe Biden do ta paraqesë një kërkesë shtesë për financim për Ukrainën dhe Izraelin “sapo të kemi një dhomë funksionale të përfaqësuesve”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala