Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Një komandant i lartë ukrainas ka thënë se ofensiva më e madhe e Rusisë në muajt e fundit në qytetin lindor të Ukrainës Avdiivka po dështon, duke shtuar se përpjekjet e vetë Kievit për të avancuar në jug po rezultojnë “të vështira”. Rusia ka vazhduar të vendosë forca të reja në një përpjekje për ta rrethuar qytetin, sipas Vitaliy Barabash, udhëheqësi i administratës së saj ushtarake. Si Moska zyrtare ashtu edhe Uashingtoni e kanë përshkruar rritjen e dhunës rreth Avdiivka si një ofensivë të re ruse.

Të paktën gjashtë persona janë vrarë në sulmet ruse në Ukrainë në 24 orët e fundit, njoftuan zyrtarët lokalë të dielën. Dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në zonën e Khersonit pasi më shumë se 100 predha e bombarduan rajonin gjatë fundjavës, ka shkruar guvernatori lokal, Oleksandr Prokudin, në mediat sociale, sipas AP.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka deklaruar të dielën se një pako e re armësh për Izraelin dhe Ukrainën do të ishte dukshëm më shumë se 2 miliardë dollarë. Në një intervistë në Face the Nation të CBS, Sullivan tha se Joe Biden do të ketë bisedime të gjera me Kongresin e SHBA këtë javë mbi nevojën që paketa të miratohet.

Forcat ruse i kanë përmirësuar pozicionet e tyre përgjatë pothuajse të gjithë linjës së kontaktit në Ukrainë, ka deklaruar të dielën presidenti rus, Vladimir Putin. Reuters raportoi se në një video të postuar në mediat sociale nga gazetari i Kremlinit, Pavel Zarubin, Putin deklaron se “Ajo që po ndodh tani përgjatë gjithë gjatësisë së [vijës së] kontaktit quhet mbrojtje aktive”.

Volodymyr Zelenskiy i ka falendëruar trupat në zonat ku luftimet kanë qenë “veçanërisht të nxehta”. Në fjalimin e tij të rregullt, Zelenskiy ka thënë: “Falënderoj të gjithë ata që po mbajnë pozicionet e tyre dhe po shkatërrojnë trupat ruse”, duke përmendur Avdiivka, Maryinka dhe vende të tjera kyçe në rajonin e Donetsk.

Ukraina po punon për t’i evakuuar afro 260 qytetarë të saj nga Gaza dhe për të nxjerrë ukrainas të tjerë jashtë Izraelit, ka thënë Zelenskiy të dielën. Ambasada e Ukrainës në Izrael tha në mediat sociale të shtunën se 207 qytetarë ukrainas, përfshirë 63 fëmijë, u evakuuan nga Tel Avivi në Rumani të shtunën dhe se një fluturim tjetër do të dërgojë 155 njerëz në Rumani të dielën.

Sot është dita e 600-të e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Me 24 shkurt 2022, Rusia e pushtoi ushtarakisht Ukrainën në një përshkallëzim të Luftës Ruso-Ukrainase që filloi në vitin 2014. Pushtimi ishte sulmi më i madh në një vend evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Vlerësohet se ky pushtim të ketë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima civile ukrainase dhe qindra mijëra viktima ushtarake./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala