Ilustrim

Zhvillimet e fundit në krizën Rusi-Ukrainë

Përpjekjet diplomatike për ta shmangur atë që zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar se mund të ishte një sulm i afërt rus në Ukrainë, janë futur në një rund të ri të hënën. Kryediplomati rus e këshilloi presidentin Vladimir Putin të vazhdonte bisedimet dhe kancelari gjerman u takua me presidentin ukrainas.

Kryeministri i Britanisë Boris Johnson tha se Evropa është “në buzë të një gremine”, duke përmendur një paralajmërim amerikan se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në 48 orët e ardhshme. Por ai tha se ka ende kohë që Putini të “tërhiqet”.

Në një paraqitje të orkestruar para kamerave televizive, ministri i jashtëm i Rusisë argumentoi se mundësitë për bisedime nuk janë ezauruar. Kjo deklaratë dukej e dizajnuar për të dërguar një mesazh që vetë Putin beson se shpresat për një zgjidhje diplomatike nuk janë zbehur ende.

Më poshtë po japim një vështrim se çfarë po ndodh ku dhe pse:

CILI ËSHTË MESAZHI NGA RUSIA?

Kremlini sinjalizoi të hënën se është gati të vazhdojë bisedimet me Perëndimin lidhur me ankesat për sigurinë që çuan në krizën aktuale, duke ofruar shpresë se Rusia mund të mos e pushtojë Ukrainën brenda disa ditësh, për çka zyrtarët perëndimorë frikësohen gjithnjë e më shumë.

Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov tha në një takim me Putinin se Moska duhet të zhvillojë më shumë bisedime me ShBA-në dhe aleatët e saj, pavarësisht refuzimit të tyre për ti marrë në konsideratë kërkesat kryesore ruse.

Lavrov tha se bisedimet “nuk mund të vazhdojnë pafundësisht, por unë do të sugjeroja që ato të vazhdojnë dhe zgjerohen në këtë fazë”. Ai vuri në dukje se Uashingtoni ka ofruar të diskutojë kufizimet për vendosjen e raketave në Evropë, kufizimet në stërvitjet ushtarake dhe masa të tjera të besimit të ndërsjellë.

I pyetur nga Putin nëse ka kuptim vazhdimi i përpjekjeve diplomatike, Lavrov u përgjigj se mundësitë për bisedime “janë larg të qenit të shterura” dhe ai propozoi vazhdimin e negociatave. Ai tha se ministria e tij nuk do t’i lejojë ShBA-të dhe aleatët e saj ti pengojnë kërkesat kryesore të Rusisë.

ÇFARË PO NDODH NË UKRAINË?

Kancelari gjerman Olaf Scholz solli një mesazh solidariteti në Kiev, duke i thënë presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës nuk janë të negociueshme.

Scholz, vizita e të cilit erdhi përpara një takimi me Putinin në Moskë të martën, kërkon “hapa të qarta për të depërshkallëzuar tensionet aktuale” nga Rusia. Ai e falënderoi qeverinë ukrainase për “reagimin e saj të matur dhe të përmbajtur ndaj një situate shumë të rëndë dhe kërcënuese”.

Scholz vuri në dukje se NATO dhe ShBA i kanë bërë propozime Moskës që Gjermania i mbështet, “dhe ne tani presim një reagim, një përgjigje për to nga Rusia”. Ai i kërkoi Rusisë ti pranojë ofertat për dialog.

Kancelari gjerman tha në rast të përshkallëzimit ushtarak, “ne jemi gati për sanksione shumë të gjera dhe efektive në konsultim me aleatët tanë” dhe se “ne e dimë se çfarë të bëjmë” nëse Rusia do ta shkelte përsëri integritetin territorial të Ukrainës.

Edhe një herë, ai nuk shpjegoi se çfarë saktësisht do të ishte. Siç pritej, nuk pati asnjë ndryshim në refuzimin e Gjermanisë për t’u bashkuar me disa aleatë në furnizimin e Ukrainës me armë vdekjeprurëse.

Zelenskyy tha se tensionet rreth të ardhmes së vendit të tij paraqesin “një sfidë të paprecedentë për Evropën dhe botën”.

“Varet prej Ukrainës që e ardhmja e arkitekturës evropiane të sigurisë – pjesë e së cilës është shteti ynë – të vendoset sot”.

KUR MUND TË BËJË LËVIZJEN RUSIA?

Kryeministri britanik Boris Johnson thotë se Evropa është “në buzë të një gremine”, duke përmendur një paralajmërim amerikan se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në 48 orët e ardhshme.

“Por ka ende kohë që presidenti Putin të tërhiqet”, tha Johnson.

Johnson kërkoi një përgjigje unike nga NATO. Ai tha se “bota duhet ta mësojë mësimin e vitit 2014”, kur nuk u bë mjaftueshëm për t’u larguar nga gazi dhe nafta ruse pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe aktivitetit në Ukrainën lindore.

Ai tha se Evropa duhet të heqë dorë nga “hidrokarburet ruse” dhe përsëriti apelin e tij që tubacioni i gazit Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani të refuzohet.

Zëdhënësi i Johnson, Max Blain, nuk pranoi të thoshte nëse Mbretëria e Bashkuar është dakorduar me SHBA-në se e mërkura është një datë e mundshme pushtimi. Por ai tha se “ekziston një mundësi e madhe e një pushtimi këtë javë”.

Kreu i forcave ushtarake të Suedisë, vend jo-anëtar i NATO-s tha se Rusia ka “të gjithë kapacitetin e nevojshëm përgjatë kufirit ukrainas për një operacion ushtarak”.

“Ne nuk përjashtojmë asgjë,” tha gjenerali Micael Byden, kreu i Forcave të Armatosura të Suedisë. “A  do të ndodhë sot, të mërkurën apo një javë, këtë ne nuk e dimë.”

DHE ÇFARË NËSE BISEDIMET NUK KANE SUKSES?

Polonia po përgatitet që të pranojë refugjatë ukrainas në rast të një sulmi tjetër rus ndaj fqinjit të saj. Por qeveria polake shpreson se mund të shmanget skenari më i keq.

Përgatitje të ngjashme po bëhen në të gjithë rajonin, veçanërisht në vendet që kufizohen me Ukrainën.

Polonia, e cila ka mirëpritur një numër të madh emigrantësh ekonomikë ukrainas në vitet e fundit, veçanërisht pas inkursioneve të Rusisë në Ukrainë në 2014, ka bërë plane për javë të tëra për të pranuar refugjatë nëse bëhet fjalë për këtë, tha Marcin Przydacz, zëvendësministër i Jashtëm.

SI PO IA DEL PRESIDENTI I UKRAINËS?

Zelenskyy i cili shënoi një fitore dërrmuese në vitin 2019. Si një rishtar politik duke bërë një ofertë të pamundur për këtë detyrë, ai ishte zotuar se do t’u afrohej rebelëve të mbështetur nga Rusia në lindje, të cilët po i luftonin forcat ukrainase dhe do të bënin hapa drejt zgjidhjes së konfliktit.

Mirëpo Zelenskyy po e vëren teksa po shpërbëhet mbështetja e tij dikur e madhe ndërkohë që Ukraina përballet me frikën e një pushtimi rus që mund ti pushtojë jo vetëm rajonet rebele, por ndoshta edhe pjesën tjetër të vendit.

Për t’i përkeqësuar edhe më shumë gjërat, ish-presidenti, të cilin Zelenskyy e mundi në vitin 2019-n, është kthyer me plot guxim në Ukrainë për t’u përballur me akuzat për tradhti dhe për të nxitur kundërshtimin ndaj tij. Analistët sugjerojnë se Moska po kërkon ta forcojë mbështetjen midis politikanëve pro-rusë në Ukrainë dhe se grumbullimi i forcave ruse pranë kufirit të Ukrainës synon pjesërisht destabilizimin e politikës ukrainase./AP

Përgatiti: Nuhi Shala