Zgjedhjet në veri, KQZ kontraktoi mbi 11 mijë euro për fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë “e-prokurimi” ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë për shtypjen, paketimin dhe transportin e fletëvotimeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – 18 dhjetor 2022” dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e Komunave Zveçan dhe Leposaviq 25 dhjetor 2022.

Nëpërmjet procedurës së negociuar me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët, kontrata në fjalë dhe me kohëzgjatje tre muaj, ju është dhënë kompanisë “Dukagjini” ShPK. në vlerë të ofertuar 11,712.50 euro.

Në të dhënat shtesë të autoritetit thuhet se çmimi u ulë pas negociatave.

“Ka ofertuar me çmimin 11,712.50 €; dhe pas negocimit me OE ka ofruar çmim më të lirë rreth 2% ose 237,50€. Çmimi total pas negociatave është 11,475.00 €” – thuhet në njoftim.

Ndryshe siç raportoi KALLXO.com, dhe sipas Policisë, në orët e para të pasdites së datës 6 dhjetor 2022, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

KALLXO.com ka mësuar se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunal që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje sipas  KALLXO.com, në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Shpërthime janë ndëgjuar edhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejt të KALLXO.com për ngjarjet në veri.

Për organizmin e zgjedhjeve në veri, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk janë krijuar kushtet e duhura për momentin që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat janë planifikuar të mbahen më 18 dhjetor.

Sipas ambasadorit Hovenier, siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen” – ka shkruar Hovenier në Twitter.

Në anën tjetër, kreu i punëve të brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelaj Sveçla nga Mitrovica e Jugut ka folur për situatën në veri duke thënë se Kosova ka kapacitetet e duhura për të mbajtur dhe ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

“Ka shumë punë në këtë qytet, shumë punë në këtë zonë, prandaj edhe kam ardhur, me i kordinu punët. Situata është qetë. Ne kemi edhe kapacitete me i mbajt zgjedhjet dhe me i siguru zgjedhjet. Policia e Kosovës bën plane të saj dhe në bazë të vlerësimit, ne i shtojmë kapacitetet”- tha Sveçla në një bisedim me gazetarët  në afërsi të “Urës së Ibrit” në Mitrovicë të Jugut.

Ai ka folur edhe për deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tha se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Sveçla ka thënë se lidhur më këtë institucionet përkatëse e vlerësojnë situatën.

“Ai e ka dhënë një opinion, ne e vlerësojmë shumë por janë institucionet përkatëse ato që vlerësojnë” – citohet të ketë thënë Sveçla.

Sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në veri, misioni i OSBE-së në Kosovë i ka dënuar “ashpër aktet e dhunës dhe frikësimit”.

Sipas OSBE-së, KQZ-ja ka treguar se ka aftësi teknike për të zhvilluar zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare.

“Zgjedhjet e suksesshme kërkojnë pjesëmarrje të gjerë dhe besim publik në mënyrë që të japin një rezultat të besueshëm të pranuar nga të gjithë. KQZ-ja ka treguar se ka aftësi teknike për të zhvilluar zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare. Duke vepruar kështu, KQZ-ja mbështetet në përkrahjen e institucioneve të tjera të Kosovës për të vendosur të gjitha elementet e nevojshme, duke përfshirë vlerësimet e sigurisë për procesin zgjedhor dhe një mjedis të sigurt për të gjithë ata që janë të përfshirë në terren” – thuhej në komunikatën e misionit të OSBE-së në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se tani do të takohet me disa nga institucionet e sigurisë në vend ku do të diskutohet çështja e situatës në veri të vendit.

Osmani tha se edhe pas shpërthimeve në veri ka raport nga organet e sigurisë në baza ditore.

“Po kam kërkuar raport në baza ditore. Sot kam takime me disa institucione të sigurisë të cilat përafërsisht çdo një orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Por tani janë duke më prit në zyrë. Tani na duhen takimet më shpesh shkaku i zhvillimeve. Në momentin që ta marr raportin e plotë do të kemi pasqyrë më të qartë sa i përket çështjes së zgjedhjeve” – tha ajo.

Presidentja takohet me institucione të sigurisë, tregon edhe si mund të shtyhen zgjedhjet