Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane

Ambasadori i SHBA-së: Nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk janë krijuar kushtet e duhura për momentin që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat ishin planifikuar të mbahen me 18 dhjetor.

Sipas ambasadorit Hovenier, siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen” – ka shkruar Hovenier në Twitter.

Hovenier dënoi incidentet e djeshme në veri, duke thënë se përdorimi i dhunës dhe i frikësimit nuk është një metodë e përshtatshme proteste.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë” – ka vijuar tutje Hovenier.

Zyrat e KQZ-së në veri u sulmuan dhe ajo në veri të Mitrovicës është demoluar dhe është jashtë funksionit.

Deri më tani Policia nuk ka njoftuar për ndonjë person të identifikuar ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se këto tensione nisën nga grupet kriminale.
Pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave veriore, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë paraparë që të mbahen më 18 dhjetor 2022.