Foto: KALLXO.com

Sveçla: Persona të maskuar sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe Policinë me 'shock bomba', pati edhe të shtëna në ajër

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me ‘shock bomba” dhe se ka pasur edhe të shtëna në ajër nga grupe të organizuara në veri.

Ai ka thënë se sulme të tilla, me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor, janë të papranueshme.

“Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare. Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush”- ka thënë ai.

Sveçla ka njoftuar se Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të dyshuarit e përfshirë në sulmet e sotme.

Policia e Kosovës ka dhënë informacione lidhur me sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe  dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.