Foto: KALLXO.com

Dëgjohen shpërthime gjatë raportimit LIVE të gazetares së KALLXO.com

Disa shpërthime janë dëgjuar gjatë pasdites së sotme në Mitrovicën e Veriut.

Përderisa ende nuk dihen shkaqet e shpërthimeve, një shpërthim është dëgjuar derisa gazetarja e KALLXO.com, Adelina Ahmeti, po raportonte LIVE nga ura e Ibrit, e cila lidh pjesën jugore me atë veriore të Mitrovicës.

Shpërthimi dëgjohet nga minuta 8:00 e videos :

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për shpërthimet që po dëgjohen në Mitrovicën e Veriut.

Sirena dhe shpërthime janë dëgjuar edhe më herët gjatë pasdites së sotme.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

“Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me ‘shock bomba” dhe se ka pasur edhe të shtëna në ajër nga grupe të organizuara në veri.