Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Presidentja takohet me institucione të sigurisë, tregon edhe si mund të shtyhen zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se tani do të takohet me disa nga institucionet e sigurisë në vend ku do të diskutohet çështja e situatës në veri të vendit.

Osmani tha se edhe pas shpërthimeve në veri ka raport nga organet e sigurisë në baza ditore.

“Po kam kërkuar raport në baza ditore. Sot kam takime me disa institucione të sigurisë të cilat përafërsisht çdo një orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Por tani janë duke më prit në zyrë. Tani na duhen takimet më shpesh shkaku i zhvillimeve. Në momentin që ta marr raportin e plotë do të kemi pasqyrë më të qartë sa i përket çështjes së zgjedhjeve” – tha ajo.

Osmani tregoi edhe mënyrën se si do të mund të vijnë deri te shtyrja e zgjedhjeve.

Osmani tha se si rregull ekzistojnë kritere të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve.

Sipas saj në këtë rast duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë, të trajtohen në KQZ e më pastaj propozimi i KQZ-së vije në Presidencë.

“Komisioni i Venecias kërkon që presidenca patjetër të konsultoj partitë politike. Në rastet kur nuk përcaktohet me ligj një e drejtë e tillë, atëherë duhet në konsultim me partitë politike të ketë një konsensus. Nëse shumica e partive dërmuese nuk janë pro nuk bën të merren vendime kokë në vete”-  shtoi presidentja.

Osmani tutje tha se nëse një kërkesë e tillë vjen pasi t`i dërgohet vlerësimi i institucioneve të sigurisë KQZ-së, si presidente do ta bëjë vlerësimin dhe do ta ndaj me partitë.

“Besoj që në dy tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet” – u shpreh Osmani.

Në këto konsultime Osmani tha se do t`i ftoj të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament edhe nëse e kanë vetëm një deputet.

Përveç kësaj Osmani tha se ftohen edhe të gjitha ato parti që janë regjistruar për të marr pjesë në zgjedhje.

Sa u përket incidenteve në veri Osmani shtoi se kjo është një shtytje e Vuçiqit, i cili po vazhdon t`i financoj strukturat ilegale.

“Ajo që e kam deklaru qëndron akoma, kjo është një shtytje e Vuçiq që vazhdon t`i financoj strukturat ilegale të shndërruara në banda kriminale të cilat po terrorizojnë qytetarët që jetojnë në veri dhe në të njëjtën kohë po tentojnë t`i sfidojnë institucionet e sigurisë” – tha Osmani.

Atë çka duhet institucionet e Kosovës të bëjnë sipas Osmanit është t`i rrisin kapacitetet e veta përpjekjet, organizimin dhe bashkërendimin në mënyrë që ta mbrojnë secilin qytetar që jeton në veri të vendit pavarësisht etnisë.

“Jeta e qytetarëve tanë është mbi të gjitha kjo duhet të jetë prioritet i yni mbrojtja nga bandat kriminale që dirigjimin e kanë nga Serbia. Serbia tenton të krijoj kriza të reja të cilat do ta parandalonin diskutimin në Bruksel të propozimit franko-gjerman. Sa herë i afrohemi një marrëveshje finale ata krijojnë kriza në veri” – përfundoi Osmani.

Deri më tani gjendja në veri është e qetë ndërsa mbrëmë në lagjen e Boshnjakëve dhe Kodrën e Minatorëve janë regjistruar disa shpërthime.

VIDEO – Veriu po monitorohet nga organet e rendit