Zgjedhjet e mëhershme në Serbi | Foto: BETA

Zgjedhje monotone në Serbi me fituesin tashmë të ditur

Me një parti në qeverisje, e cila ka shënuar rritje sipas sondazheve të bëra, dhe me një shumicë partish opozitare të cilat janë përcaktuar për bojkotim të qendrave të votimit, një ndryshim politik te vendi ballkanik nuk po shihet në horizont.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi, që po mbahen sot (21 qershor), me shumë gjasë nuk do të sjellin ndonjë befasi për strukturat qeverisëse në këtë shtet ballkanik, thonë ekspertët – dhe ndryshimet e vetme do të shihen te radhët e opozitës që përfaqësohen në Parlament.

Janë përafërsisht 21 lista zgjedhore të konfirmuara deri me datë 10 qershor. Katër prej tyre janë lista të pakicave etnike, dy janë parti nga koalicioni aktual qeverisës Përparimtar-Socialist dhe të tjerat janë parti të vogla opozitare.

Serbia e ka nisur fushatën e saj elektorale mes një krize politike. Kur një deputet opozitar u sulmua në muajin nëntor të vitit 2018, kritikët e regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe të Partisë së tij Përparimtare Serbe, e cila qeveris me vendin,  filluan një seri protestash masive antiqeveritare, më vonë të quajtura protestat “1 nga 5 milionë”.

Në janar të vitit 2019, partitë opozitare vendosën ta bojkotojnë Parlamentin dhe, më vonë, t’i bojkotojnë edhe zgjedhjet e ardhshme. Pandemia COVID-19 më pas  rezultoi që zgjedhjet, të cilat ishin planifikuar të mbaheshin me 26 prill, të shtyheshin për një kohë tjetër.

Këto zhvillime, të kombinuara me tendenca të tjera jodemokratike në politikë dhe shoqëri, rezultuan me një situatë në të cilën tashmë fituesi i zgjedhjeve është i njohur – Partia Përparimtare Serbe, SNS, e cila qeveris me vendin.

Anketat kanë treguar një përkrahje të madhe për  Përparimtarët gjatë, pothuajse, gjithë kohës së tyre në qeverisje, dhe kjo përkrahje duket se është në rritje e sipër.

Sipas hulumtimeve të bëra nga Instituti për Çështje Europiane, IEA, në mars të vitit 2020, e ku si rrjedhojë aktivitetet elektorale ishin ndalur dhe ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme, 61.9 për qind e të anketuarve janë deklaruar se do të votonin për listën e Partisë Përparimtare Serbe, SNS.

Një njoftim për media nga IEA, në kohën kur u publikua sondazhi, këshillonte për kujdes në lidhje me gjetjet e saj.

“Ne nuk duhet ta injorojmë faktin se hulumtimi u krye gjatë gjendjes së jashtëzakonshme kur të gjitha aktivitetet partiake ishin pezulluar, dhe kur qytetarët i ekspozoheshin pranisë së përfaqësuesve të partisë në qeverisje në baza ditore në pothuajse të gjitha frekuencat kombëtare, ndërkohë që të gjitha partitë e tjera ishin lënë mënjanë për shkak të situatës aktuale,” paralajmëronte IEA.

Mirëpo, sondazhet e tjera kanë konfirmuar epërsinë e madhe të SNS. Në muajin maj, e përditshmja ‘Blic’ publikoi një sondazh ku thuhej se SNS do të fitonte 57.8 për qind të votave nëse zgjedhjet do të mbaheshin në atë javë.

Sa për krahasim, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016, SNS kishte fituar 48.25 për qind të votave me diç më shumë se 1.8 milion vota të hedhura, të cilat i dhanë asaj 131 nga 250 ulëset në Parlament.

Partneri i saj i ri në koalicionin qeverisës, Partia Socialiste e Serbisë, SPS, udhëhiqet nga Ivica Daçiq, ministri aktual i Jashtëm.

Pavarësisht spekulimeve në fillim të këtij viti që të dy këto parti mund të garonin në një listë të përbashkët në zgjedhje, një gjë e tillë nuk ndodhi. Socialistët tani kanë 29 ulëse, duke fituar 10.95 për qind të votave në vitin 2016. Anketat e bëra në muajin maj i dhanë SPS-it rreth 12.5 për qind të votave.

Bojan Klaçar, nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, CESID, një think-tank (një organ ekspertësh që japin këshilla dhe ide mbi problemet specifike politike ose ekonomike), thotë se dy pyetjet më interesante në lidhje me zgjedhjet kanë të bëjnë me pjesëmarrjen, dhe cilat parti të tjera do të kalojnë pragun zgjedhor prej 3 për qind.

“Është e sigurt që SNS dhe SPS janë në dy pozicionet kryesore, me mundësi të një fitoreje të një përqindjeje të lartë të votave krahasuar me vitin 2016, ndërkohë që beteja për 3 përqindëshin [pragun] mbetet shumë e pasigurt sepse disa lista elektorale në garë mund ta arrijnë atë prag”, tha ai.

“SNS ndoshta mund të formojë një qeveri si e vetme, mirëpo pritet t’i bëjë ftesë partnerit të saj të koalicionit, SPS dhe partitë që përfaqësojnë minoritetet hungareze dhe boshnjake”, i tha Klacar BIRN-it.

Disa parregullsi pritet të ndodhin

Afati i fundit për organizatat të cilat do të donin t’i vëzhgojnë zgjedhjet ishte data 15 qershor. Dihet tashmë se Qendra Lokale për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjshmëri, CRTA, dhe Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, CESID, do të jenë aty.

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR, ka dërguar një mision special që ka të bëjë me vlerësimin e zgjedhjeve.

ODIHR ka njoftuar se misioni i saj në Serbi do të fillojë nga data 5 qershor dhe se kjo organizatë do të vëzhgojë komponentë të ndryshëm të zgjedhjeve siç janë regjistrimi i votuesve dhe kandidatëve, aktivitetet e fushatës dhe mbulimi i mediave, puna e administratës zgjedhore dhe e organeve përkatëse qeveritare, legjislacioni në lidhje me zgjedhjet dhe zbatimin e tij dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

Ekipi “nuk do të bëjë vëzhgim sistematik ose gjithëpërfshirës të votimit, numërimit dhe ofrimin e të dhënave statistikore në ditën e zgjedhjeve” dhe se anëtarët e këtij misioni do të “vizitojnë vetëm një numër të vogël vendvotimesh në ditën e zgjedhjeve”, paralajmëroi ai.

Bojan Klaçar, nga CeSID, ka dyshime se shumë incidente do të ndodhin ditën e zgjedhjeve.

“Në këshillat e qendrave të votimit nuk do të ketë përfaqësues të partive të cilat i kanë bojkotuar zgjedhjet, por do të ketë përfaqësues të partive opozitare të cilat marrin pjesë në zgjedhje, dhe shpresojmë se ata do të kryejnë punën për të cilën janë paguar,” ai tha.

“Ajo çfarë mund të ndodhë gjatë ditës së zgjedhjeve është e vështirë e parashikueshme, mirëpo CeSID do të njoftojë për çdo parregullsi që vërejmë nga votimet të cilat janë nën vëzhgimin tonë”, tha ai për BIRN

Bojkotimi nxit pyetje në lidhje me legjitimitetin e rezultateve

Pjesa më e madhe e opozitës serbe e braktisi parlamentin në janar të vitit 2019 dhe që nga ajo kohë po bojkoton punën e tij.

Raporti i fundit i muajit maj nga Freedom House ku thuhej se Serbia nuk ishte më një demokraci e plotë, dukej se vërtetonte shumë prej ankesave të tyre.

Grupi më i madh opozitar, Aleanca për Serbinë, mbledh rreth vetes disa parti të vogla, të udhëhequra nga ish-kryetari i Beogradit, Dragan Djilas, ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, dhe partia e krahut të djathtë ‘Dveri’, e udhëhequr nga Boshko Obradoviq.

Megjithatë, hulumtimi i IEA i muajit mars sugjeron se ata (Aleanca për Serbinë) do të fitonin rreth 7.1 për qind të votave në zgjedhje. Sondazhet e Factor Plus të bëra në muajin maj i dhanë atyre 7,3 për qind të votave

Figurat (kandidatët) e tyre elektorale duken akademike (të konsumuara, të vjetra) tani, pasi politikanët e mbledhur rreth Aleancës për Serbinë akoma qëndrojnë prapa vendimit të tyre për t’i bojkotuar zgjedhjet.

Një kthesë komploti në radhët e opozitës në fillim të majit, megjithatë, pa një grup tjetër si mburojë, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, njoftoi se ajo tani kishte ndryshuar mendje dhe do të merrte pjesë në zgjedhje. E themeluar në maj të vitit 2017, kjo Lëvizje udhëhiqet nga aktori Sergej Trifunoviq.

Përpjekje të ndryshme për të kapërcyer ngërçin politik pasuan bojkotin e paralajmëruar nga ana e opozitës, me runde të organizuara dialogu midis tyre dhe qeverisë. Të dy OJQ-të lokale dhe disa deputetë të Parlamentit Europian u përpoqën pa ndonjë sukses që ta tejkalojnë hendekun e krijuar.

Ndryshimi i madh zyrtar që rezultoi nga këto bisedime ishte një vendim për të ulur pragun zgjedhor nga 5 në 3 për qind.

Kjo la më shumë hapësirë që më shumë parti opozitare të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlament. Sidoqoftë, nëse i referohemi një shkrimi të mëparshëm nga BIRN, disa analistë e kanë parë këtë koncesion si “pak më shumë sesa përpjekje për të mbrojtur legjitimitetin e zgjedhjeve”.

Me përjashtim të disa partive, opsionet e tjera politike që do të përfaqësohen në parlament, që të gjitha vijnë nga e djathta.

Nga ato që kanë botuar programe, shumica janë tepër konservatore, me premtime për forcimin e familjes, rritjen e investimeve në bujqësi dhe inkurajimin e njerëzve për të jetuar në zona rurale (fshatra). Këto parti shihen si armiqësore ndaj migrantëve, ndaj çdo lëvizjeje në Kosovë dhe integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Disa janë shprehur zëshëm si përkrahëse ndaj lëvizjeve anti-vaksinë.

Nga partitë që me siguri do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm, katër prej tyre i përfaqësojnë pakicat etnike, përkatësisht Aleancën e Hungarezëve të Vojvodinës (Savez vojvođanskih Mađara), koalicionin Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar, Partia e Veprimit Demokratik të Sanxhakut (Stranka Demokratske Akcije Sanđaka) dhe koalicioni i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit (Stranka Pravde i Pomirenja)  me Partinë Demokratike të Maqedonasve (Demokratska Partija Makedonaca).

Dy prej partive, statusi i të cilave nuk i është pranuar si parti minoritare ishin Partia Ruse (Ruska Stranka) dhe Koalicioni për Paqe (Koalicija za mir) – një grup partish të vogla të udhëhequra nga Çedomir Jovanoviq, kreu i Partisë Liberal Demokratike dhe politikan veteran opozitar.