Zëvendësimi i deputetëve të Listës Serbe, sot në rend dite në KQZ

Në rendin e ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është zëvendësimi i deputetëve Lista Serbe.

“Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për Zyrën e Presidentes, për zëvendësimin e deputetëve të subjektit politik “Lista SRPSKA”” – thuhet në pikën e rendit të ditës të KQZ-së.

Në këtë mbledhje do të ketë edhe njoftim lidhur me dorëheqjet e Zyrtarëve të Lartë Komunal të Zgjedhjeve të Komunave Mitrovica e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe zyrtarisht i kanë dorëzuar dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës.

Këto dorëheqje të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës erdhën pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi dhe rezistoi të lëshojë fletëqortime për pronarët e veturave me targa ilegale.

Rendi i ditës:

1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

2. Aktivitetet e SKQZ-së:

– Njoftim lidhur me dorëheqjet e Zyrtarëve të Lartë Komunal të Zgjedhjeve të Komunave Mitrovica e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

3. Raport i Këshillave të KQZ-së:

• Këshilli për Çështje Ligjore:

– Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për zyrën e presidentes, për zëvendësimin e deputetëve të subjektit politik “Lista SRPSKA”.

– Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës për zëvendësim të anëtarëve të Kuvendit Komunal në Ferizaj, Malishevë dhe Junik.

4. Të ndryshme;