Zemaj paralajmëron blerjen e aparateve dhe testeve për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë sot se në QKUK dhe në spitalet tjera rajonale të vendit janë rritur kapacitetet shëndetësore.

“ Kapacitetet në sektorin publik kemi rritur me rreth 300 ventilatorë, derisa sa kishim vetëm 82 sish. Në sektorin privat janë licencuar 86 Institucione Shëndetësore Private për kryerje të testeve serologjike dhe PCR. Po kryejmë procedurat e blerjes së 7 aparateve të tjera për PCR në IKSHPK ku do të vihen në funksion në 6 qendrat rajonale të Shëndetësisë Publike (Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj e Gjilan). Së shpejti do të kemi edhe: 7 aparate për RT-PCR, 100 000 teste PCR, 30 000 teste rapide dhe 100 000 teste serologjike”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Zemaj tutje ka treguar se sipas IKSHPK-së, 65% të infektuarve e kanë kaluar këtë sëmundje, derisa rreth 30 % të rasteve janë ende aktive, shkalla e vdekshmërisë në mesin e të infektuarve është 3.7%.

Ai tha se sot do të pranojnë një donacion të radhës nga UNICEF-i me 7.4 tonelata furnizime mjekësore, ndërsa nga USAID do të pranohen edhe 50 ventilatorë apo respiratorë.

“Kemi angazhuar 200 specialistë shëndetësorë të rekrutuar nga MSh dhe kemi hapur edhe konkursin për 1034 specializantë përfshirë dhe 48 nga Lugina e Preshevës dhe zona të tjera. Jemi në proces për t’i punësuar edhe 375 punonjës si staf mjekësor. Mbi 60 specialistë te tjerë do të rekrutohen në kuadër të një konkursi për angazhimin e specialistëve të papunë”, ka shkruar tutje Ministri.

Sa i përketë vaksinës ndaj coronavirusit ai ka thënë se do të mundohen t’i sigurojnë  kurdo që një vaksinë të jetë e gatshme.

“Para fillimit të vitit të ri shkollor, pres që secili sektor të jetë sa më i fokusuar në ushtrimin e përgjegjësive brenda fushës së vet duke lehtësuar punën e MSh-së në menaxhimin e pandemisë në fazat e tjera”, është shprehur tutje Zemaj.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj sot kanë takuar kryetarët e komunave për të biseduar në lidhje me menaxhimin e COVID-19, përgatitjet për fillimin e mësimit dhe analizimin e efektit të masave ndaj COVID-19.

Në Kosovë deri më tani kanë vdekur shtatë mjekë, pesë infermierë dhe një laborant  nga COVID-19.