Foto: REL/Shutterstock

Zemaj: 60-70% e popullatës së Kosovës do të marrë vaksinë anti COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas mbledhjes së komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus COVID-19.

Zemaj ka treguar se në këtë takim është diskutuar edhe situata rreth pandemisë në vendin tonë si dhe respektimi i masave kundër COVID-19.

Zemaj ka thënë se shumë shpejt Kosova do të pajiset me vaksinat e gripit sezonal, ndërsa me vaksinën e virusit COVID-19 do të mbulohet 60-70% e popullatës sapo ajo të jetë e zhvilluar, të cilën pritet ta blejë Kosova së bashku me ndihmat e donatorëve

“Duke qenë që po shkojmë kah vjeshta, MSH është në proces të sigurimit të vaksinave kundër gripit sezonal, derisa po zhvillojmë biseda dhe kemi marrë zotime nga partnerët dhe donatorët edhe për sigurimin e një numri solid të vaksinave kundër COVID-19, kur ato të jenë zhvilluar dhe aprovuar definitivisht për përdorim. Një pjesë tjetër, do të na duhet t’i blejmë, ndërsa projeksioni është që me vaksinë anti covid të mbulohet 60-70% e popullatës”, thuhet në publikimin e ministrit Zemaj.

Ai ka shtuar se e sheh të rëndësishme komunikimin me donatorë për të përfituar edhe pajisje shtesë mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë.

“Po aq sa është i rëndësishëm koordinimi mes nesh, po kaq është i rëndësishëm edhe koordinimi me donatorët, të cilët kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin e pajisjeve mbrojtëse profesionale të mjaftushme për të mbrojtur si personelin shëndetësor ashtu edhe qytetarët, por edhe sigurimin e respiratorëve shtesë, auto-ambulancave, koncentratorëve dhe oksigjenoformuesve të oksigjenit”, vazhdon më tej ai.

Ditë më parë, UNICEF ka njoftuar se do të udhëheqë prokurimin dhe furnizimin me vaksina kundër COVID-19, për 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

UNICEF-i do të udhëheqë prokurimin dhe furnizimin me vaksinën kundër COVID-19