UNICEF-i do të udhëheqë prokurimin dhe furnizimin me vaksinën kundër COVID-19

UNICEF-i bëri të ditur se do të udhëheqë prokurimin dhe furnizimin me vaksina kundër COVID-19, për 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Prodhimi i vaksinave do të drejtohet nga Gavi – Aleanca për Vaksina,  që njihet  edhe si  Instituti Global për Qasje  në vaksina kundër COVID-19 (Instituti COVAX).

’’UNICEF-i do të shërbejë gjithashtu si koordinator i prokurimit për të dhënë mbështetje në prokurimin e vaksinave nga 80 shtete me të ardhura më të larta , të cilat kanë shprehur dëshirën e tyre për të marrë pjesë në Institutin COVAX dhe për të financuar vaksinat nga buxhetet e veta të financave publike.’’, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se UNICEF-i është blerësi më i madh i vaksinave në botë me më shumë se 2 miliardë doza vaksinash  çdo vit për  imunizimin rutinor  dhe reagim ndaj pandemisë në emër të rreth 100 shteteve.

Sipas vlerësimit të tregut të bërë nga UNICEF-i është konstatuar se prodhuesit janë të gatshëm të prodhojnë në mënyrë kolektive sasi enorme të vaksinave.

’’Në një vlerësim të tregut që u bë nga UNICEF duke grumbulluar informacione nga prodhuesit e vaksinave së bashku me të dhëna që ishin në dispozicion për publikun, u konstatua se prodhuesit janë të gatshëm të prodhojnë në mënyrë kolektive sasi enorme të vaksinave gjatë 1-2 viteve të ardhshme. Sidoqoftë, prodhuesit dhanë indikacione se investimet për të mbështetur prodhimin në shkallë të gjerë të dozave do të vareshin midis të tjerash nga suksesi i provave klinike, arritja e marrëveshjeve paraprake të blerjes, konfirmimi i financimit si dhe nga trajektoret e rregulloreve dhe regjistrimit.’’, thuhet në komunikatë.

COVAX-i do të ofrojë udhëzime për UNICEF-in, PAHO-n dhe prokuruesit të tjerë që punojnë në emër të vendeve pjesëmarrëse, lidhur me atë si dhe ku t’i furnizojnë vaksinat e siguruara nga Instituti.