Zelenskiy: Na duhet durim, Ukraina do të 'humbte shumë njerëz' nëse do ta fillonte kundërofensivën tani

“Mund të ecim përpara dhe të jemi të suksesshëm. Por ne do të humbnim shumë njerëz. Unë mendoj se kjo është e papranueshme. Kështu që duhet të presim. Na duhet ende pak më shumë kohë”, ka deklaruar presidenti i Ukrainës, Zelenskiy gjatë një interviste me disa media, përfshirë BBC-në.

Zelenskiy, ka thënë se Ukrainës i duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për një kundërofensivë të shumëpritur pranverore në mënyrë që të ‘mos humbasim’ shumë njerëz.

Komandanti ushtarak ukrainas Oleksandr Syrskyi ka thënë se forcat ruse në Bakhmut janë zbrapsur deri në 2 km në disa zona, pas kundër-ofensivës. Gjeneralkoloneli i cili udhëheqë forcat tokësore të Ukrainës, i bëri komentet në një postim në Telegram duke thënë së “në disa zona të frontit, armiku nuk mund t’i rezistonte sulmit të mbrojtësve ukrainas dhe u zbraps në një distancë deri në dy kilometra”.

Operacioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës është “shumë i vështirë”, por qëllime specifike janë arritur, citoi Tass të mërkurën zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov. Ai shtoi se Rusia ka arritur ta dëmtojë rëndë makinerinë ushtarake të Ukrainës dhe kjo punë do të vazhdojë.

Operatori rus i tubacionit të naftës Transneft tha se një pikë mbushjeje në tubacionin Druzhba me drejtim në Evropë në një zonë kufitare midis Rusisë dhe Ukrainës ishte targetuar në një sulm “terrorist”, sipas agjencisë së lajmeve Tass. Zyrtarë nga Transneft thanë se askush nuk u lëndua në incidentin, të cilin e quajti një “sulm terrorist”, sipas Reuters.

Zyra e prokurorisë kundër terrorizmit të Francës të mërkurën njoftoi se ka hapur një hetim për krime të mundshme lufte dhe krime kundër njerëzimit, pasi një gazetar i AFP-së u vra të martën nga gjuajtja me raketa Grad pranë Chasiv Yar, në Ukrainën lindore.

Shefi mercenar rus Yevgeny Prigozhin është ankuar se luftëtarët e tij ende nuk po marrin predha të mjaftueshme nga ministria zyrtare e mbrojtjes. Në një audiodeklaratë, ai tha se ministria e mbrojtjes ka mbajtur takime të gjata për çështjen e predhave, por nuk ka asnjë përparim në këtë drejtim.  

Parlamenti francez i ka bërë thirrje BE-së ta etiketojë zyrtarisht grupin ëagner si grup terrorist. Parlamenti i Francës miratoi njëzëri një rezolutë jodetyruese që synon të inkurajojë 27 anëtarët e BE-së për ta vendosur Wagnerin në listën e saj zyrtare të organizatave terroriste.

Britania e Madhe do ta vendosë zyrtarisht në listën e zezë grupin Wagner si një organizatë terroriste për ta rritur presionin ndaj Rusisë, raportoi të martën Times. Pas dy muajsh ndërtimi të një çështjeje ligjore, ndalimi ose futja formale në listën e zezë të grupit ishte “i pashmangshëm” dhe me gjasë do të hyjë në fuqi brenda javësh, raportoi gazeta, duke cituar një burim qeveritar.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të mërkurën se ai mendon se marrëveshja e Ukrainës për drithërat e Detit të Zi mund të zgjatet për të paktën dy muaj të tjerë, pasi zyrtarët e mbajtën ditën e parë të bisedimeve për një vazhdim në Stamboll. Rusia ka thënë se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen përtej 18 majit nëse nuk plotësohet një listë kërkesash për t’i hequr pengesat ndaj eksporteve të saj të drithit dhe plehrave. 

Forcat ruse po planifikojnë të “evakuojnë” më shumë se 3,000 punëtorë nga qyteti që i shërben centralit bërthamor të okupuar të Zaporizhzhia, duke rezultuar në një “mungesë katastrofike” të personelit, pretendoi të mërkurën kompania shtetërore e Ukrainës Energoatom.

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder është kritikuar sërish për lidhjet e tij me Rusinë pasi mori pjesë në një festë të Ditës së Fitores në ambasadën ruse në Berlin. Schröder u pa në pritjen të martën ku shënohej humbja e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, së bashku me figura të larta nga partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë dhe partia e së majtës ekstreme Linke.

Rusia mund ta “denoncojë” zyrtarisht traktatin për forcat e armatosura konvencionale në Evropë, nga i cili u tërhoq në vitin 2015, sipas një dekreti të nënshkruar nga Presidenti Vladimir Putin të mërkurën./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala