Xhaferi: Nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm për të përshkruar kontributin e Ali Ahmetit

Talat Xhaferi, i cili sot pritet të emërohet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, përmes një shkrimi në Facebook, ka lartësuar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin.

Xhaferi ka thënë se nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm për të përshkruar kontributin e Ali Ahmetit në ndërtimin e historisë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut.

“Njeriu mbahet mend për veprat që i lë në trashëgimi për gjeneratat e ardhshme dhe rrugët që i trason në histori. Nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin e Ali Ahmeti në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit tonë. Sot jemi dëshmitarë të edhe një dite historike për ne” – ka shkruar Xhaferi.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi.

Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Qeveria që drejtohej nga Dimitar Kovaçevski, më 25 janar e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, ndërsa këtë e bëri edhe Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, për t’u hapur rrugën procedurave për kalimin e tij në krye të Qeverisë teknike.

Sot Talat Xhaferi pritet të emërohet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut