Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi - Foto: KALLXO.com

Sot Talat Xhaferi pritet të emërohet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Sot Talat Xhaferi pritet të zgjedhet kryeministri i parë shqiptar në histori të Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti e ka quajtur ditë historike datën 28 janar.

Ai përmes një videoje tha se po kalohen paragjykimet dhe vendin do e çojnë së bashku përpara BE-së.

“Nesër vëllezër dhe motra është ditë historike, nesër më 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut, kjo ditë është historike sa për shqiptarët aq dhe maqedonasit sepse po kalojmë të gjitha paragjykimet dhe po marrim përgjegjësinë për të prirë vendin krah për krah”- u shpreh ai përmes një videoje drejtuar qytetarëve.

Sipas tij, ajo që do bëjnë nesër do definojë jetën e gjeneratave pas tyre.

“A duam t’u lëmë një Maqedoni proevropaine apo proruse, paqe apo konflikt”- shtoi tutje Ahmeti.

Edhe po të votohet, kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nuk do të ketë kompetenca të plota, por teknike apo kompetenca të cunguara.

Qeveria që drejtohej nga Dimitar Kovaçevski, më 25 janar e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, ndërsa këtë e bëri edhe Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, për t’u hapur rrugën procedurave për kalimin e tij në krye të Qeverisë teknike.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi.

Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Bëhet fjalë për Qeverinë teknike, e cila parashihet me Ligjin për zgjedhjet dhe si detyrë kryesore ka organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ndërsa pjesë e saj do të jetë edhe opozita maqedonase me dy ministra dhe tri poste të zëvendësministrave.

 

Çfarë kompetencash do të ketë kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut?