Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq për deklaratat e Avdullah Hotit: Më mirë të mos vijë në dialog

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se prioritetet e paraqitura nga ana e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për dialogun Kosovë-Serbi, janë shantazhe ndaj Serbisë.

Vuçiq tha se objektivat e paraqitura të Hotit sot janë të pa pranueshme për Serbinë si dhe Hoti me këtë platformë mos të futet në bisedimet Prishtinë-Beograd.

“Të pesë janë të papranueshëm për ne. Nëse është një platformë me të cilën Hoti do të vijë të bisedojë, ose Thaçi, ai më mirë mos të vijë. Unë nuk mund të luaj heroin dhe t’i fyej ata, kjo nuk më ngjanë mu. Çka mendoni, ju vendosni pozicionin, duke përsëritur si papagallët, përsërisni sesi keni bërë kompromise? E shkëlqyeshme, nuk kemi pse të flasim”, tha ai, raporton b92.

Vuçiq i cilësoi këto si shantazhe, që sipas tij, nuk mund të dëmtojnë Serbinë.

“Nëse mendoni se me këto shantazhe mund të dëmtoni Serbinë dhe të ndryshoni pozicionin e Beogradit dhe pozicionin tim personal, keni gabuar” përfundoi ai.

Sot, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një tryezë të KDI-së ka paraqitur disa nga objektivat që ai mendon se  duhet arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

“Parimi i parë që do ta bëjmë këtë proces është integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm, unë s’kam mandat që ta hap këtë temë. E dyta karakteri unitar i shtetit, parimi i tretë është që marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën si dhe njohje reciproke të dyja shteteve”, tha Hoti.

Dialogu Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është pezulluar, që nga koha kur ish kryeministri kosovar Ramush Haradinaj vuri tarifën 100% kundër mallrave serbe, në nëntor të 2018-ës.

Kurse, emisari i Presidentit Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell, njoftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me liderët nga Kosova dhe Serbia, një ditë para se në Kosovë do të vinte i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.