Hoti: Kam mandat për të negociuar, s’do të lejoj të ndërhyjë askush

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një tryezë të KDI-së rreth dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se ai ka mandat që të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se nuk do të lejojë që të ndërhyjë askush në kompetencat e tij.

“Unë kam mandat që të negocioj mbi bazën e Kushtetutës, asnjë mandat tjetër nuk kam, Kushtetuta më jep autorizime të qarta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë proces. Kompetencat të cilat as nuk dua t’i transferoj te dikush tjetër, as nuk do të lejoj që tjetër kush të ndërhyjë në kompetencat e mia. Kjo nuk ka nevojë as të thuhet”, ka deklaruar Hoti sot.

Ai tutje ka shtuar se janë disa parime që do të shkojë në tryezën e diskutimeve me Serbinë.

“Parimi i parë që do ta bëjmë këtë proces është integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm, unë s’kam mandat që ta hap këtë temë. E dyta karakteri unitar i shtetit, parimi i tretë është që marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, tha Hoti më tej.

Dialogu Kosovë – Serbi për normalizimine marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është pezulluar, që nga koha kur ish kryeministri kosovar Ramush Haradinaj vuri tarifën 100% kundër mallrave serbe, në nëntor të 2018-tës.

Kurse, emisari i Presidentit Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell, njoftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me liderët nga Kosova dhe Serbia.