Foto: Aleksandar Vuçiq, Instagram
Vuçiq pas takimit me Lajçak dhe Escobar: Kosova të përmbushë obligimet e saj
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është koha që Kosova të përmbushë obligimet e saj dhe para së gjithash të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kështu ka deklaruar Vuçiq në takimin e zhvilluar sot me emisarin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.
“Që nga dita e parë, Serbia ka qenë një partner konstruktiv, konsistent dhe i besueshëm në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit të të gjithë rajonit. Unë thashë se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj dhe mbi të gjitha të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”- ka shkruar Vuçiq në rrjetin social Instagram.
Para vizitës në Beograd, të dy emisarët kanë qëndruar sot në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Ata kanë arritur dje në Prishtinë, duke zhvilluar takimin e parë me kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin, ndërsa kanë takuar edhe liderët e partive opozita te për të vazhduar pastaj takimin me Listën Serbe.
Pas takimit të djeshëm me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së karshi palës kosovare.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për shtensionim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes bazike e aneksit të zbatimit.
“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Uashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj”- thuhet në komunikatë.
Sipas zëdhënësit të BE-së Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashigntonit në lidhje me hapat urgjentë që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.
Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.
Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.