Vuçiq deklarohet pas takimit në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, është shprehur kënaqur me gatishmërinë e delegacionit të Beogradit dhe se i është mirënjohës amerikanëve si nikoqirë të takimit, të cilët kanë dëgjuar propozimet dhe vërejtjet,  që sipas tij, përkundër faktit se shumë gjëra nuk ishin të lehta për Beogradin.

Vuçiq në deklarimin e tij pas takimit ka insistuar se administrata Trump ishin të drejtë dhe kanë dëgjuar propozimet e palës serbe, raporton RTS.

“Pika ku ne flasim për njohjen reciproke nuk është në dokumente “ tha Presidenti Vuçiq në një deklaratë për shtyp pas takimit.

“Nuk duhet të ketë frikë, se do të nënshkruaj ndonjë dokumenti që njeh pavarësinë e Kosovës. Pikë!. Unë këtë i ‘u thashë qartë edhe bashkëbiseduesve shqiptarëve dhe amerikanëve që ishin të pranishëm në takim. Këtë i ‘u kam thënë me zë të lartë, dhe besoj se më e qartë nuk mund të jetë”, tha ai.

Vuçiq ka shtuar se nuk ka dyshim se kjo pikë më nuk do të jetë pjesë e diskutimit.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë, këtë takim e ka quajtur historik dhe sipas tij, është një hap drejt përmbylljes së marrëveshjes finale me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë.

Nikoqirë të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa, derisa ishte duke u mbajtur takimi në media qarkulloi një lajm se në këtë takim Serbisë i’u kërkua njohja e Kosovës.

Por, këtë gjë e mohoi, i dërguari i Trump, Richard Grenell përmes një postimi në Twitter.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.