Vrasja e Marigona Osmanit, dëshmia e ekspertit mjekolgjor: 'Lëndimet kanë qenë të shkaktuara për së gjalli'

Eksperti mjekoligjor, Naim Haliti ka dhënë detaje nga ekspertiza mjekoligjore që i ishte bërë të ndjerës Marigona Osmani, lidhur me rastin e vrasjes së saj.

Haliti këto detaje i ka dhënë në seancën gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut në seancën e mbajtur të martën më 11.06.2024 në Gjykatën e Ferizajt.

Krivaça ishte dënuar për vrasje të rëndë më burgim të përjetshëm kurse për ndihmë në vrasjen e rëndë, Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite dënim me burgim. Rasti tashmë ndodhet në ri-gjykim pas vendimit të Apelit.

“Lëndimet kanë qenë të shkaktuara për së gjalli dhe vdekjeprurëse disa prej tyre. Prandaj te ky rast, dhimbjet kanë mundur të jenë posaçërisht të rënda, por kanë mundur të jenë edhe të rënda në aspektin mjekësor”- tha Haliti për rastin e vdekjes së Marigona Osmanit.

Sipas ekspertit mjekoligjor, vdekja Osmanit ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta, ose të quajtura në terme mjekësore si politrauma.

Haliti tutje shtoi se këto lëndime janë shkaktuar me mjete të forta e të mprehta që viktimës i kanë dëmtuar organet vitale të trupit.

“Ne kemi përshkruar se vdekja e të ndjerës ka ardhë si pasojë e lëndimeve të shumëfishta, përndryshe quhet si politrauma të cilat kanë ardhë si pasojë e dëmtimit të organeve vitale trupore. Krejt këto kanë qenë të shkaktuara nga mjetet mprehëse”- tha tutje eksperti Haliti.

Eksperti mjekoligjor para trupit gjykues me në krye, Sahit Krasniqi – kryetar, Fitore Daci dhe Habib Zeqiri – anëtarë, tha se koha e saktë e vdekjes nuk mund të përcaktohet në bazë të ekspertizës mjekoligjore, por që, sipas ekspertizës është përcaktuar se e ndjera Osmani ishte sjellë pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Lidhur me këtë rast Haliti kishte dhënë edhe një dëshmi në shqyrtimin gjyqësor të datës 10.11.2022, për të cilën tha se qëndron prapa elaborimit të ekspertizës që kishte bërë.

Avokati i të akuzuarit Dardan Krivaça, Skender Musa kërkoi nga trupi gjykues që të mostrat e të ndjerës, Osmani të dërgohen në ndonjë laborator jashtë vendit me qëllim që të caktohet shkalla e toksicitetit të substancave narkotike që kishin konsumuar e ndjera dhe tashmë i akuzuari.

Ky propozim i avokatit Musa është refuzuar nga trupi gjykues pas kundërshtimeve që paraqitën prokurori, Valdet Avdiu dhe përfaqësuesi i familjes së të ndjerës, Gazmend Rexhepi.

Avokati Skender Musa po ashtu propozoi që i akuzuari Krivaça të dërgohet në institutin e psikiatrisë forenzike për 14 ditë me radhë, edhe ky propozim u refuzua nga trupi gjykues.

Sipas gjyqtarit, Sahit Krasniqi, i akuzuari ishte dërguar në këtë institucion nga data 01.03.2023 – 23.03.2023.

Pasi përfundoi me dhënien e versionit nga eksperti, procedura kaloi në administrim e provave materiale, të cilat me pajtimin e palëve u konsideruan të lexuara.

Avokati Skender Musa kërkoi që seanca të ndërpritet pasi që ju nevojitet kohë për të përgatitur fazën e dhënies së mbrojtjes.

Krivaça e Sejdiu më 04.08.2023 ishin shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë, kurse Sejdiut i ishte rikualifikuar vepra penale nga Gjykata, nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje në ndihmë në vrasjen e rëndë, duke e dënuar me 15 vite dënim me burgim.

Krivaça ishte liruar nga akuza për dhunim seksual të viktimës dhe Sejdiu ishte liruar nga akuza për ndihmë në veprën penale të dhunimit.

Krivaça akuzohet se me dashje dhe në bashkëkryerje me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta të ndjerën Marigona Osmani.

Me të njëjtën, Krivaça ka qenë në lidhje jashtëmartesore.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Ndërkaq, Krivaça akuzohet për dhunimin e të ndjerës, kurse Sejdiu për ndihmën në kryerjen e dhunimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu godasin të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i shkaktojnë dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Gjykimi për këtë rast ka filluar në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt të martën më datë 02.08.2022.

Drejtësisë iu deshën gati dy vite nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit të i jap epilog në shkallë të parë. Më 22 gusht 2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.

Bëhej fjalë për Marigona Osmanin. Të akuzuar për këtë vrasje janë Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK