Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaça e Sejdiu deklarohen për fajësinë në nisjen e rigjykimit ndaj tyre

Edhe në rigjykim, Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit në vitin 2021.

“Jo, nuk e pranoj, nuk e pranoj akuzën e prokurorit”- tha Krivaça lidhur me akuzën e Prokurorisë së Ferizajit e cila u konsiderua si e lexuar nga palët në procedurë.

Mohimin se i ka kryer veprat penale që i vihen në barrë, u deklarua edhe Arbër Sejdiu.

Krivaça më 04.08.2023 është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë, kurse Sejdiut i ishte rikualifikuar vepra penale nga Gjykata, nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në veprën penale ndihmë në vrasjen e rëndë, duke e dënuar me 15 vite me burgim. Por Apeli rastin e kishte kthyer në pikën zero.

Me të përfunduar deklarimi i të pandehurve, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi procedoi tutje duke kaluar në fjalët përfundimtare të palëve.

Prokurori Valdet Avdiu deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë më 26.10.2022.

Avokati i ri i Krivaçës, Skënder Musa, para Gjykatës në fjalën përfundimtare kërkoi që për klientin e tij të urdhërohen për t`u bërë dy ekspertiza.

“Propozimi im i parë është që në pajtim me nenin 508, të Kodit të Procedruës Penale të bëhet ekzaminimi psikiatrik i Dardan Krivaça dhe atë para kryerjes së veprës penale duke përfshirë periudhën që nga klasa e 5 fillore, koha e qëndrimit të tij në paraburgim në qendrën e paraburgimit për të mitur”- tha avokati Musa.

Kërkesa e Musës ishte që në këtë ekspertizë të urdhërohet që të përshkruhet nga ekspertët se nga cila moshë ka filluar përdorimin e lëndëve narkotike klienti i tij, llojin e tyre, pasi që avoakti tha se sipas informacioneve që posedojnë, Krivaça kishte filluar konsumimin e kokainës që nga klasa e pestë.

Tutje, avokati kërkoi që përmes ekspertizës psikiatrike të tregohet se çfarë ndikimi tek të menduarit e Krivaçës ka pas përdorimi i narkotikëve.

Propozimi i tij i dytë ishte që të bëhej edhe një ekspertizë e veçantë mjeko-ligjore e toksikologjisë, për të konstatuar nëse e ndjera Marigona Osmani në natën kritike ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike.

“Është e nevojshme që të bëhet edhe ekspertiza e veçantë mjeko-ligjore e toksikologjisë, nga mostrat e të ndjerës të cilat mund ta vërtetojnë saktë shkallën e dozimit në substanca narkotike”- tha tutje avokati, Musa.

Kurse mbrojtësja e të pandehurit Arbër Sejdiu, avokatja Arbnora Shefkiu ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të cilën e kishte dhënë më 26.10.2022.

Tutje, palët në procedurë u pajtuan që të konsiderohen të lexuara deklaratat e dëshmitarëve që i kanë dhënë në fazat e më hershme të procedurës penale.

Kurse në seancën e cila pritet të mbahet më 11.06.2024, sipas kryetarit të trupit gjykues, do të ftohet që të dëshmoj një ekspert i mjekësisë ligjore.

Krivaça e Sejdiu ishin dënuar nga Gjykata e Ferizajit më 04.08.2023 ishin shpallur fajtor nga Gjykata Themelorë në Ferizaj. Krivaça ishtë dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë, kurse Sejdiut i ishte rikualifikuar vepra penale nga Gjykata, nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje në ndihmë në vrasjen e rëndë, duke e dënuar me 15 vite dënim me burgim.

Kurse Krivaça ishte liruar nga akuza për dhunim dhe Sejdiu ishte liruar nga akuza për ndihmë në veprën penale të dhunimit.

Krivaça akuzohet se me dashje dhe në bashkëkryerje me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta të ndjerën Marigona Osmani.

Me të njëjtën, Krivaça ka qenë në lidhje jashtëmartesore.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Ndërkaq, Krivaça akuzohet për dhunimin e të ndjerës, kurse Sejdiu për ndihmën në kryerjen e dhunimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu godasin të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i shkaktojnë dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Gjykimi për këtë rast ka filluar në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt të martën më datë 2 gusht 2022.

Drejtësisë iu deshën gati dy vite nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit të i jap epilog në shkallë të parë. Më 22 gusht 2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.

Bëhej fjalë për Marigona Osmanin. Të dyshuar për këtë vrasjes janë Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë,  04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit,  13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast  – LINK