Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Voton Vjosa Osmani, fton qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje, veçanërisht gratë

Ushtruesja e detyrës e presidentes, Vjosa Osmani, njëherësh kandidate për deputete nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik.

Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve që përmes vullnetit të lirë ta përcaktojnë fatin e vendit dhe fatin indivivdual.

“I ftoj qytetarët që masivisht të marrin pjesë në votim. Të gjitha gratë dhe vajzat i ftoj të marrin pjesë në votim. Barazia fillon tek kutitë e votimit”, tha ai.

Osmani ka falënderuar mërgatën që janë bërë pjesë e këtij procesi qoftë përmes votës me postë, qoftë përmes ardhjes në Kosovë.

Osmani ka falënderuar OJQ-të, vëzhguesit, përfaqësuesit ndërkombëtar, e gazetarët që janë duke vëzhguar dhe raportuar për këtë proces.

“Uroj shumë që të gjithë të festojmë në fund për rregullin e këtij procesi”, tha Osmani.

Osmani e pyetur nëse pas këtyre zgjedhjeve do ta marr postin e presidentes, tha se “këto janë çështje që pasi të përfundoj procesi zgjedhor do ti diskutojmë”.

Sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Vendvotimet janë hapur në ora 7:00.

Zgjedhjet e parakohshme vijnë  si rezultat i vendimit të  Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.