Viola Von Cramon

Von Cramon për takimin e 18 marsit: Ka vullnet politik nga të dyja palët për të bërë një marrëveshje

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, ka folur për pritshmërinë nga takimi i 18 marsit që pritet të zhvillohet në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Von Cramon ka thënë se ka sinjale premtuese nga të dyja palët për të bërë një marrëveshje.

Sipas saj, marrëveshja do t’i sjellte lehtësi Kosovës në aplikim në institucione ndërkombëtare.

“Kemi një vullnet të madh politik nga të dyja palët për të bërë një marrëveshje që të bëjmë hapin e ardhshëm që pastaj Kosova të aplikojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, siç janë Interpol, UNESCO, NATO. Të gjitha këto do të jenë shumë më të lehta nëse dialogu do të ishte pak a shumë përafruar dhe nëse do të kishim një marrëveshje që më në fund do të tregonte se marrëdhëniet mund të quheshin si të normalizuara” – ka thënë ajo.

Tutje Von Cramon ka folur edhe për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën që sipas saj tashmë është në fazën e fundit.

“Kemi vuajtur shumë nga procesi për liberalizmin e vizave që tani është në fund dhe nuk ka asnjë pengesë politike në Këshillin e Evropës. Të gjithë kemi vuajtur me qytetarët e tuaj dhe që na u është dashur të presim më shumë se pesë vjet pasi komisioni kishte konfirmuar dy herë që Kosova kishte plotësuar kriteret. Shpresojmë që nga 1 janari edhe qytetarët tuaj ta gëzojnë këtë që të gjithë qytetarët tjerë evropian e gëzojnë. Ky është një hap i madh përpara” – ka thënë ajo.

Ajo më tej ka falënderuar institucionet e Kosovës për gatishmërinë e treguar në strehimin e gazetarëve ukrainas dhe afganistanas.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian.