Viola Von Cramon

Von Cramon: BE-ja dhe NATO të dalin me një plan sigurie për veriun e Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, tha se Bashkimi Europian bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurie për veriun e Kosovës.

Në debatin e eurodeputetëve për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ajo tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës ka lënë të kuptohet që paqja në Ballkanin Perëndimor nuk mund të merret si e mirëqenë.

Ndërsa, ka shtuar se përforcimi i misionit të NATO-s, KFOR, është i domosdoshëm.

“Ne duhet të veprojmë, BE-ja bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurie për veriun e Kosovës. Përforcimi i trupave të KFOR-it është i domosdoshëm. Unë ftoj Gjermaninë dhe vendet tjera të Bashkimi Europian të ndjekin shembullin e Britanisë së Madhe për të dërguar trupa shtesë”- tha ajo.

Von Cramon tha se vrasja e policit Afrim Bunjaku ishte goditje ndaj paqes, sigurisë, jetës normale në veri të Kosovës.

Ajo tutje i ka bërë thirrje Serbisë të kërkojë përgjegjësi nga sulmuesit, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

“Duhet qartësisht të bëjmë thirrje që sulmuesit të thirren para drejtësisë. Ndaj Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, Serbia duhet të veprojë në mënyrë të pakushtëzuar në çdo hetim dhe të kërkojë përgjegjësi nga gjithë sulmuesit përgjegjës, përfshirë Radoiçiqin”- tha ajo.

Von Cramon ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Britanisë së Madhe që të sjellë edhe rreth 200 ushtarë shtesë në kuadër të KFOR-it.

Dje, përmes rrjetit Twitter ajo ka theksuar se Gjermania duhet të prijë me dërgimin e trupave shtesë.

“Vendim i rëndësishëm për të vendosur 200 trupa të Mbretërisë e Bashkuar për të përforcuar misionin e NATO-s, KFOR. Gjermana duhet të  udhëheqë me dërgimin e më shumë trupave për të siguruar paqe ndhe mbrojtjen e të gjithëve në Kosovë, ku roli i NATO-s i prirë nga KFOR mbetet jetik”- ka deklaruar von Cramon.

200 trupa shtesë të Britanisë së Madhe do t’i bashkohen misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas situatës që u krijua javën e fundit në veri të vendit, ku një grup terrorist kreu sulm mbi Policinë e Kosovës, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos një polic tjetër.

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se forcat e saj shtesë dërgohen pas një kërkese që erdhi nga NATO.

Parlamenti Europian po diskuton për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Po ashtu, Parlamenti Europian pritet ta miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë muaj, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator, ka njoftuar deputeti kroat në EP, Tonino Picula.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.