Vjosa Osmani për bojkotin e PDK-së: Fotografia e Thaçit është vetëm arsyetim

Partia Demokratike e Kosovës ka bojkotuar përsëri mbledhjen e kryesisë si pasojë e zhvendosjes së fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga ana e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani brenda zyrës së saj.

E pyetur se a do të tërhiqet nga qëndrimi i saj në mënyrë që PDK t’i kthehet mbledhjeve, Osmani në një konferencë për media e quajti vetëm arsyetim për bojkot.

‘Kjo temë është e mbyllur. PDK ka filluar me bojkot që kur është votuar qeveria. Bojkotin e kanë fillu më 3 shkurt dhe se çështja e fotografisë është vetëm arsyetim”, tha ajo.

Javën e kaluar kur ishte mbledhja e Kryesisë, PDK pati deklaruar se nuk do të marrin pjesë në mbledhje të kryesisë deri sa fotografia e presidentit, Hashim Thaçi të kthehet në vendin që ka qëndruar dikur.

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani me të ardhur në krye te Kuvendit ka zëvendësuar fotografinë e Presidentit Thaçi me atë të ish presidentit Ibrahim Rugova, derisa e ka zhvendosur në një pjesë tjetër të zyrës fotografinë e Thaçit.

Osmani kishte thënë se e ka vendosur fotografinë e ish-presidentit Rugova për t’u inspiruar gjatë kryerjes së punës së saj si kryeparlamentare.