Vjosa Osmani vendos fotografinë e Thaçit përballë asaj të Rugovës - FOTO

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është përfolur të martën se një ditë pasi mori detyrën e re ka zhvendosur fotografinë e presidentit Hashim Thaçi.

Osmani ka vendosur që në qendër të zyrës së saj të jetë fotografia e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Kryeparlamentarja deklaroi se e ka vendosur ‘për t’u inspiruar’.

Ndërsa, për vendndodhjen e fotografisë së Thaçit ajo tha se ‘nuk e ka larguar por e ka vendosur në një vend tjetër’.

Sipas saj, kjo nuk paraqet shkelje kushtetuese sepse nuk përcaktohet se në cilin cep të Kuvendit duhet të jetë fotografia.

Edhe sot kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani është pyetur sërish për këtë çështje.

Ajo ka thënë se në asnjë moment nuk e ka hequr fotografinë e presidentit aktual Hashim Thaçit.

“Në asnjë moment nuk është hequr, dje ka qenë procesi i zhvendosjes me qëllim që kjo zyrë në përputhje me ligjin ta ketë fotografinë e presidentit aktual. Kur është vendos fotografia e presidentit Rugova e deri te gjetja e vendit konkret dhe të përshtatshëm për presidentin aktual kane qenë diku 15-20 minuta”, ka thënë ajo.

Ekipi i KALLXO.com raporton se fotoja e Thaçit është e vendosur përballë asaj të Rugovës.

 

Fotografia e presidentit Hashim Thaçi në kabinetin e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani

 

Fotografia e presidentit Hashim Thaçi në kabinetin e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani
Fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova në kabinetin e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani

Gjatë një emisioni, kryeministri Albin Kurti e ka arsyetuar veprimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, për largimin e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga kabineti i saj.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që urgjentisht në kabinetin e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, të vendoset fotografia e presidentit Hashim Thaçi.