Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Vjosa Osmani deklarohet për emërimin e Skender Hysenit koordinator për dialog

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar lidhur me emërimin e Skender Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun.

Osmani tha se do të mund të jepte një vlerësim për këtë emërim nëse do ta dinte se cilat janë termat e referencës së punës së Hysenit.

“Z. Hyseni nuk është përfaqësues politik, nuk e di kë e përfaqëson pasi nuk ka marr pjesë në zgjedhjet e fundit. Nëse bën dialog teknik, duhet të dalë qeveria dhe të na tregojë. Por nëse janë tema të përfaqësimit politik kjo duhet të qartësohet në detaje, për të treguar çka më sakt është puna e z. Hyseni. Në aspektin teknik, nuk kam asgjë kundër”, tha ajo në Rubikon në Klan Kosova.

Kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar Skender Hysenin koordinator shtetëror për dialog.

Skender Hyseni njëherësh është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërkaq në të kaluarën ka qenë ministër i Punëve të Jashtme.