Viti i Ri në sofrën e SOS Fshatrave të Kosovës (VIDEO)

Secili prej fëmijëve ka shprehur nga një dëshirë në momentin që e ka vendosur stolinë në bredhin i cili është rreth tri metra i gjatë, në oborrin e SOS Fshatrave të Fëmijëve të Kosovës.

Bredhi i cili bie në sy posa të shkelësh në hyrje të SOS Fshatrave, duket që është stolisur nga duart e fëmijëve të cilët nuk kanë arritur që stolitë dhe shiritat dekorues t’i vendosin shumë lart.

Udhëheqësi i kujdesit alternativ në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, Besnik Peci ka treguar llojllojshmërinë e dëshirave që i kanë shprehur fëmijët që t’i kenë si dhurata për fundvit.

“Janë prej më të ndryshmeve edhe variojnë për nga grupmosha. Ta zëmë, fëmijët e vegjël kryesisht kanë kërkesa më modeste, thjesht e gjëra të tilla ndërsa adoleshentët tash kanë fillu me ndje veten shumë të gjallë edhe normalisht që kërkesat e adoleshentëve në përgjithësi janë të tjera si Sony Playstation, janë kompjuterët e caktuar, me shku në kinema”, ka deklaruar Peci.

Peci ka thënë se SOS Fshatrat e Kosovës mezi presin që të vijnë festat për t’u mbledhur dhe për të kaluar kohë me fëmijët.

Përveç stolisjes së bredhit në oborr, secila prej familjeve SOS, ka stolisur nga një bredh të vogël brenda shtëpive ku jetojnë.

“Sivjet, aktivitetet që e shënojnë fundin e vitit janë dekorimi i bredhit ku fëmijët e fshatit SOS e kanë bo një befasi për stafin ku secilit prej tyre i kanë dërgu kartolinë edhe përshtypjet e tyre për të edhe në të njëjtën kohë kanë ardhë edhe e kanë dekoru bredhin ku faktikisht i kanë shprehur dëshirat e tyre për vitin 2020 në të njëjtën kohë i kanë shprehur dëshirat për njerëzit vullnetmirë të cilët vijnë edhe i gëzojnë gjatë festave të fund vitit”, ka shtuar Peci.

Foto: KALLXO.com

“Familja është më shumë se një lidhje gjaku” për nënat, tezet, stafin dhe fëmijët e SOS Fshatrave të Fëmijëve të Kosovës, të cilët e presin së bashku ndërrimin e viteve për t’i festuar të arriturat e vitit që po e lëmë pas.

“Me 31 dhjetor edhe familjet SOS si shumica e familjeve të tjera të komunitetit dhe qytetit e festojnë në gjirin e ngrohtë familjar ku kryesisht i shijojmë programet artistike e kulturore që i transmetojnë televizionet tona edhe në të njëjtën kohë e shfrytëzojnë atë hapësirë për me bashkëbisedu me anëtarët e tjerë të familjes edhe me reflektu për sukseset e vitit që po e lëmë pas dhe për projeksionet që po i ndërtojmë për vitin që po hyjmë”, ka treguar Peci.

Ata gjithmonë e kanë pritur Vitin e Ri në atmosferën e shtëpive të SOS fshatit, edhe kur e kanë pasur mundësinë që ta presin jashtë Prishtinës. Fundin e vitit 2018, familjet SOS e kanë pritur në Prevallë falë një donatori. Por nata e ndërrimit të viteve i ka gjetur përsëri nën kulmet e shtëpive të tyre dhe ngrohtësinë e familjeve SOS.

Njëri prej aktiviteteve kryesore në prag të festave të fundvitit është edhe dizajnimi i kartolinave. Fëmijët kanë zgjedhur kartolinat dhe kanë shkruar nga një mesazh dedikues për personat të cilët ata i vlerësojnë më së shumti.

“Kartolinat janë të dizajnuara kryesisht prej fëmijëve edhe janë kartolina të cilat fëmijët i marrin dhe ua drejtojnë njerëzve të tyre më të dashur, arsimtarëve apo profesorëve të tyre edhe jemi në vlugun e fushatës së shitjes së kartolinave sepse mjetet e grumbulluara nga shitja e këtyre kartolinave shkojnë ekskluzivisht për mirëqenien dhe plotësimin e nevojave të këtyre fëmijëve kështu që fushatën e udhëheqin kryesisht stafi”, ka rrëfyer Peci.

“Pak nga ju vlen shumë për mua”, është moto nën të cilën po zhvillohet fushata për shitjen e këtyre kartolinave të dizajnuara kryesisht nga fëmijët e SOS Fshatrave të Kosovës.

Foto: KALLXO.com

Kartolinat janë duke u shitur në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës dhe të njëjtat mund të porositen edhe përmes emailit dhe telefonit.

Aktualisht 61 fëmijë janë nën përkujdesjen e stafit të SOS Fshatrave të Kosovës. Gjithsej janë 9 SOS familje. Një SOS familje përbëhet nga bebet dhe 8 të tjera nga fëmijë që janë më të rritur dhe që kanë nevojë për kujdes afatgjatë.

Këto familje i udhëheq SOS nëna, e cila ndihmohet dhe asistohet nga SOS tezja.