ORCA: 19 programe të kolegjeve pa kuota për studentë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), sot ka prezantuar raportin e monitorimit të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

Hulumtuesja e ORCA-s, Liridona Ademaj tha se raporti është rezultat i monitorimit të mbledhjeve të KShC-së gjatë vitit 2020, por edhe të bashkëpunimit me Agjencinë e Akreditimit (AKA) si dhe Komisionin e Ankesave të kësaj agjencie.

Ademaj theksoi se gjatë vitit 2020, tre universitete publike janë riakredituar dhe 4 kolegje private, dështuan në procesin e riakreditimit institucional.

“Për 3 prej të cilave kjo ishte hera e dytë radhazi, dhe sipas udhëzimit administrativ për akreditim, kjo nënkupton se u duhet tërhequr licenca nga Ministria e Arsimit”, tha ajo.

Ajo shtoi se 11 kolegje nuk kanë akreditim institucional dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojnë studentë dhe sipas saj, 8 prej tyre që janë vlerësuar gjatë vitit që shkoi dhe nuk arritën të plotësojnë standardet e nevojshme.

“Në universitete publike, kanë akreditim gjithsej 124 programe Bachelor, 91 programe Master, 14 programe të doktoratës dhe 5 programe doktor shkence. Ndërsa në kolegje private janë gjithsej 87 programe Bachelor dhe 40 programe Master”, tha Ademaj.

Ajo theksoi se 19 programe studimore në kolegje private nuk kanë kuotë që kufizon numrin e studentëve, e që nënkupton se mund të regjistrojnë studentë pakufi si dhe çështje të tjera.

Ndërsa, drejtori i Agjenicsë Kosovare të Akreditimit, Naim Gashi tha se pajtohet me të gjeturat e këtij raporti dhe theksoi se do të mundohet që t’i zbatojë rekomandimet e dhëna.

“Raporti është pikë për pikë i vërtetë dhe kjo është gjendje e skanuar nga një organizatë kredibile. Nuk mund ta fsheh që s’ka pasur ndërhyrje, por do ta bëjë maksimumin që të gjitha këto të gjetura t’i zbatojmë”, tha Gashi.

Kurse, anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Dukagjin Zeka tha se ky bord ka pasur sfida ndër vite.

“Ne kemi pasur sfida të mëhershme që kemi pasur edhe U.D drejtor për disa vite dhe kemi pasur edhe ndërhyrje politike, por edhe janë bërë udhëzime administrative të ndryshme vetëm për disa institucione të caktuara, por me aq sa kemi mundur i kemi ndalur disa ndërhyrje”, tha Zeka.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), është organ politikëbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga 9 anëtarë, prej të cilëve tre janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programeve të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, por asnjë vendim i KShC nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.