Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori gjen mangësi në menaxhimin e pasurisë nga KQZ gjatë vitit 2020

Dobësi në menaxhimin e pasurisë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka gjetur Auditori gjatë vitit 2020.

Sipas raportit të auditimit, ZKA ka gjetur mangësi në Komisionin për inventarizimin e pasurisë përkundër që kishte kryer me kohë inventarizimin. KQZ edhe këtë vit nuk kishte harmonizuar gjendjen e inventarizuar me regjistrat e pasurive jofinanciare si dhe te Sistemi e-pasuria që nuk kishte kalkuluar shpenzimet e zhvlerësimit.

“Nga testimi i regjistrit të pasurive nën 1,000€, kemi vërejtur se për disa pasuri vlera fillestare ishte e barabartë me vlerën neto në libra, që nënkupton se zhvlerësimi nuk ishte kalkuluar nëpër vite. Sa i përket mos kalkulimit të shpenzimeve të zhvlerësimit, KQZ kishte shpalos këtë fakt në PFV, duke treguar përpjekjet që këtë problem të eliminoj para përgatitjes së PFV. Ndërsa sa i përket mos harmonizimit kjo kishte ndodhur si rezultat i kontrollit jo të mirë që ky proces të përfundohet para përgatitjes së pasqyrave”, thuhet në raport.

ZKA thotë se mos harmonizimi i regjistrit të pasurive me inventarizim reflekton në mungesë të informatave tё sakta dhe tё plota lidhur me pasurinë në posedim, ndërsa mos aplikimi i zhvlerësimit të pasurisë përmes sistemit e=pasuria ndikon që këto pasuri të jenë mbivlerësuar dhe se nuk paraqesin gjendjen e saktë të tyre në PFV.

Auditori ka rekomanduar që kryetari i KQZ-së duhet të forcojë kontrollet në menaxhimin e pasurisë, duke siguruar se zhvlerësimi i pasurisë po kalkulohet saktë, po ashtu pas inventarizimit duhet të bëhet harmonizimi me regjistrin e pasurive për të korrigjuar gabimet e mundshme.

Sipas rregullores nr. 02/2013 për menaxhimin e pasurisë, neni 19 pika 4.3 përcakton që Komisioni për inventarizimin e pasurisë të hartojë një raport të përgjithshëm mbi inventarizimin e pasurisë dhe të krahasojë gjendjen e inventarizimit me gjendjen në regjistrat e pasurive jofinanciare. Ndërsa neni 22, pika 3, përcakton që të gjitha pasuritë jofinanciare kapitale dhe jokapitale do t’i nënshtrohen normave të zhvlerësimit.

Në vitin 2020, kryetare e KQZ-së ka qenë Valdete Daka. Daka u shkarkua nga kjo pozitë muajin e kaluar me vendim të presidentes Vjosa Osmani.

Pak kohë pasi kishte shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së KQZ-së, Vjosa Osmani e ka emëruar gjyqtarin Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.