2020-ta, viti i maskave

Viti 2020 filloi të marrë jetësim tjetër. Përderisa një pjesë e botës kishin filluar të jetonin nën mbrojtjen e maskave dhe distancës që nga fundi viti 2019, në vendin tonë ishte gjithçka normale.
Mënyra e jetesës filloi të ndryshonte, në fillim të marsit 2020, në Kosovë, vendit me më pak se dy milionë banorë i ‘trokiti në derë’ pandemia e COVID-19.

Procedurat për testimin e mostrave filluan, ndryshe nga ‘jeta e më parshme’ ku nuk prisnim me ankth ndonjë rezultat, e Klinikat për mjekim vizitoheshin për sëmundje e raste të tjera, tashmë kishin marrë kahje tjetër.
Testimet e mostrat e marrura gjatë ditës u publikuan për dhjetë muaj radhazi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ku qytetarët presin se kush nga familjarët, të afërmit apo shoqëria do të rezultojë pozitiv me virusin COVID-19.

Nën kujdesin e mantel bardhëve, të infektuarit po mjekohen në Klinika Infektive, në atë të Pulmologjisë, Internos e Mjekësisë Sportive si dhe në shtatë spitalet rajonale në vend.

Puna, planet, vizitat familjare e përqafimi i personave që kemi afër është ndaluar, vetëm për faktin se duhet të i përmbahemi rekomandimeve të mjekëve e specialisteve të cilët vazhdimisht bëjnë thirrje, e që përmes kësaj po parandalojmë përhapjen e infeksionit SARS-CoV-2.

Spitalet e mbushura me pacientë

Mjekët, infermierët e i gjithë stafi ku po trajtohen personat e diagnostikuar me Coronavirus të veshur me rroba mbrojtëse e me maska në fytyrë, po e bëjnë punën e tyre. Rrobat mbrojtëse stafi shëndetësorë i bartë për të mbrojtur vetveten, por edhe pacientët e tyre.

Për shkak të numrit të lartë të pacientëve të cilët kishin nevojë për spitalizim dhe kapacitetet e Infektives nuk mund të pranonin më shumë pacientë, pacientët e dyshuar apo edhe të infektuar me SARS-CoV-2 filluan trajtimin edhe nëpër klinika tjera, si ajo e Internos, Pulmologjisë e Mjekësisë Sportive.

Klinikat e Spitalet në vend të mobilizuara 24 orë për të pritur dhe kujdesur për të gjithë pacientët të cilët kishin nevojë për mjekim.

Mantelbardhët pushimet verore i kaluan nëpër klinika dhe spitale pasi fluksi i të infektuarve ishte i lartë.

Vendi në karantinë

Pas paraqitjes së rasteve të para me coronavirus Institucionet Shtetërore vendosën masa të reja për qytetarët.

Nga 16 marsi deri më tetë qershor kur edhe u larguan të gjitha kufizimet në vend, Kosova ‘stagnoi’ sa i përket zhvillimeve në shumë sektorë, pasi që ekonomia hyri në një krizë të ‘rrezikshme’ për shkak se shumë biznese u mbyllën.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri më tani Kosova ka humbur deri në 1 miliardë euro për shkak të pandemisë, të ashtuquajturit ‘infuzioni i Kosovës’ – diaspora në kohë pandemie i ofroi në Kosovë rreth 800 milionë euro.

Në anën tjetër arsimi mbeti në gjysmë, dhe Ministria e Arsimit u mobilizua që të fillohet mësimi online apo e-mësimi.

Shumë organizime u anuluan për të ruajtuar shëndetin e gjithsecilit prej nesh pasi që virusi vdekjeprurës ishte në mesin tonë.

Për shkak të rritjes së rasteve të infeksionit në vend, u vendosën prapë disa kufizime, qytetet me më së shumti raste pozitive u rangunan në mesin e komunave në zonë të kuqe, ato me raste mesatare hynë në zonën e verdhë, ndërsa komunat me më pak raste u listuan në zonë të gjelbër.

Mungesa dhe shtrenjtimi i barnave

Me të shfaqur kjo pandemi qytetarët vërshuan barnatoret për të blerë maska e dorëza sipas rekomandimeve të specialistëve.
Përveç rritjes së numrit të vizitave në Infektivë, për shkak të mbrojtjes ndaj kësaj pandemie qytetarët filluan të vizitojnë për blerje barnatoret pasi që nëpër klinika e spitale kishte mungesa të ilaçeve të nevojshme për trajtimin e infeksionit, edhe pse asnjëri nga barnat nuk ishin definitivisht shëruese.

Mungesa e barnave nëpër spitale ‘nxiti’ barnatoret t`i rrisnin çmimet e tyre.

Ilaçi Remdesivirë i cili po përdoret për trajtimin e pacientëve me SARS-COV-2 pasi që ka treguar efekt të mirë tek pacientët e infektuar nga mungesa e furnizimit nëpër spitale barnatoret kishin rritur çmimin nga 180 deri në 200 euro një ampullë, gjë e cila rriste panik tek qytetarët pasi që shumë familje tashmë nuk e kishin asnjë antarë të punësuar për shkak të krizës të cilët e kishte kapluar vendin.

Përveç mungesës së Remdesivirit mungesë pati edhe në ilaçin tjetër Fraksiparin si dhe barna të tjera për të cilat qytetarët kishin raportuar.

Institucionet në vend ende janë në pritje të furnizimit të barnave por edhe të vaksinës anti-COVID-19, e cila ka filluar të shpërndahet nëpër botë.

Institucionet shëndetësore në Kosovë do të marrin falas 20%, apo 360 mijë vaksina nga COVAX.

Nga 13 marsi deri më 31 dhjetor në Kosovë 51,328 qytetarë janë infektuar me coronavirus, 41,407 janë shëruar ndërsa 1,335 kanë vdekur. Në nivel global pandemia ka prekur 83,456,526, përderisa 1,819,617 kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.