(VIDEO) Vazhdon gjendje e njëjtë në Jarinjë

Kanë kaluar më shumë se 48 orë që kufiri në Jarinjë është i bllokuar për shkak të vendosjes së dhjetëra makinerive të rënda në hyrje të kësaj pike nga ana e Leposaviqit.

KALLXO.com ka qëndruar gjatë gjithë ditës në këtë zonë ku ka parë nga afër të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur.

Gjatë kësaj kohe KALLXO.com ka parë edhe disa raste ku qytetarët të cilët janë mbledhur kanë bërë disa sjellje të pahijshme për të cilat më pas Policia ka ndërhyrë dhe ka biseduar me të njëjtit e në fund qytetarët janë zmbrapsur.

Ekipet policore po vazhdojnë të qëndrojnë në disa pika të ndryshme të veriut të Kosovës, duke qëndruar në gjendje gatishmërie për secilin ngjarje e cila mund të ndodh.

Deri më tani informacionet zyrtare tregojnë se nuk është shënuar asnjë incident për dallim nga mbrëmja e kaluar ku është dashur në një rast të intervenohet me gaz lotsjellës për shkak të veprimeve të qytetarëve të cilët janë vendosur edhe në pikën kufitare në Bërnjak.

Atje kanë tentuar që të bllokojnë rrugën me zhavorr por nuk kanë arritur pas ndërhyrjes së Policisë.

Në Bërnjak ka më pak qytetarë, në krahasim me ditën e djeshme, të cilët po kundërshtojnë vendimin e MPB-së.

Në anën tjetër, në Jarinjë grupe njerëzish janë vendosur në vende të ndryshme përreth kordonit të cilin kanë krijuar me makineri të rënda që nga mëngjesi i djeshëm dhe kanë bllokuar totalisht qarkullimin e lirë.

Vetura të ndryshme private por edhe të mediave të ndryshme që po përcjellin zhvillimet në veri kanë mbetur të bllokuara për shkak të makinerive të rënda që janë vendosur nëpër rrugën e cila të dërgon drejtë Jarinjës pikës më të frekuentueshme në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Këto targa të përkohshme, po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.