VIDEO - Shikimi ‘sy më sy’ i kryeministrit Kurti me presidentin serb Vuçiq

Në prag të nisjes së takimit trepalësh në Bruksel, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ka qenë një moment kur të dy kanë shkëmbyer një shikim direkt në sy për disa sekonda, siç shihet në pamjet e publikuara nga vet Bashkimi Europian.

Në Bruksel para pak minutash ka filluar takimi trepalësh në mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialog Miroslav Lajçak.

Paraprakisht Lajçak e Borrell kanë takuar ndara kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq.

Takimi trepalësh temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti dhe Vuçiq, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.

Borrell para fillimit të takimit: Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi