Borrell para fillimit të takimit: Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi

Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, ka njoftuar se ka zhvilluar takime të ndara me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Borrell në platformën X (ish-Twitter) ka ndarë fotografi nga takimet duke thënë se “sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”.

“Jam nikoqir i takimit të nivelit të lartë mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel. Është koha për të filluar zbatimin seriozisht të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”- ka shkruar ai.

Takimet dypalëshe kanë përfunduar dhe tani vetëm sa ka filluar takimi trepalësh.

Temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti dhe Vuçiq, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.