Pjesëtarët e FSK-së në aksion për shpëtimin e kolegut të tyre të plagosur - Foto: KALLXO.com

Video: Reagimi i FSK në Rast Pengmarrjeje

“Drejtësia në Kosovë”, kësaj radhe transmetoi reportazhin ekskluziv nga kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës në qytetin e Gjilanit.

Në këtë kazermë, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, është i vendosur Batalioni Parë i Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Sipas komandantit të këtij batalioni, Major Berat Shala ky batalion ka mbi 370 pjesëtarë të cilët janë të përgaditur sipas standardeve të NATO-s.

Majori Shala ka treguar për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, se batalioni i parë mbulon pjesën më të madhe të Kosovës si nga territori, po ashtu edhe nga numri i banorëve, pasi sipas tij ky batalion në përgjegjësi të vetën e ka edhe kryeqytetin, Prishtinën.

“Pjesëtarët janë të pajisur me pajisjet individuale sikurse çdo ushtar në botë. I kanë pajisjet për mbrojtjen individuale, pro dhe pajisjet tjera që i duhen për t`i kryer detyra e veta. Të gjitha këto pajisje janë sipas standardeve të NATO-s, ne ndjekim standardet e NATO-s”, ka thënë Major Berat Shala.