Ilustrim - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Radhë të gjata të qytetarëve në IKShPK për testim për COVID-19

Gjatë ditës së sotme me dhjetëra qytetarë kanë pritur para tendës për testim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të vendosur që nga fillimi i pandemisë, për të kryer testime për të gjithë qytetarët në nivel vendi të cilët kanë simptoma të COVID-19.

Disa qytetarë vetëm e disa të tjerë me familjarë janë duke u testuar pasi dyshojnë se janë infektuar me COVID-19.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka qëndruar afër kësaj tende për të parë rrjedhën e testimit.

Gjatë hulumtimit KALLXO.com pati fotografuar pamje të qytetarëve pa maskë e pa distancë afër tendës për testim në Institut.

Në anën tjetër, institucionet shëndetësore në vend vazhdimisht bëjnë thirrje për mbajtje të distancës dhe maskës, si njëra nga mënyrat për të ndaluar përhapjen e infeksionit SARS-CoV-2.

 

Aktualisht në nivel vendi janë mbi 5 mijë e 678 raste aktive me SARS-CoV-2.

COVID-19 është infeksion i cili përhapet përmes spërklave. Në Kosovë dy rastet e para të infektimit janë paraqitur më 13 mars 2020.

Për më tepër se një vit me SARS-CoV-2 janë infektuar mbi 167 mijë qytetarë e mbi 2 mijë prej tyre kanë vdekur.