Foto: KALLXO.com
VIDEO: “Kreolët e Ballkanit’ e Enver Petrovcit jepet në Teatrin Kombëtar
Shfaqja “Kreolët e Ballkanit”, me tekst dhe regji të Enver Petrovcit është dhënë mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Kjo shfaqje është premiera e parë që jepet në TKK, për këtë vit.
Shfaqja “Kreolët e Ballkanit”, produksion i ‘Teatrit të Babës’ dhe ndihmuar nga Ministria e Kulturës, trajton fatin e kreolëve, fëmijëve të lindur nga prindër të përzier në kuptimin racor apo kombëtar.
Për më shumë së një orë, publiku, përmes rrëfimit dhe lojës brilante të aktorëve, ka mësuar edhe për fatin e kreolëve të ish-Jugosllavisë, me theks të veçantë të atyre në Kosovë.
Ngjarja e shfaqjes, e cila bartë mesazh universal, zhvillohet diku në Kosovës, ku dy kreolët luftojnë për kauzat e tyre të përcaktuara më parë.
Tema prekëse e shfaqjes dhe e pa trajtuar më parë në skenat tona, përçoi emocione të veçanta te publiku.
Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha pas shfaqjes se “Kreolët e Ballkanit” solli një ngjarje reale që dikur ka ndodhur në Kosovë, në emër të bashkëjetesës.
“Këtu mbi të gjitha ishte ndërgjegjja njerëzore, ku edhe fëmijët e pësojnë. Unë e uroj për regjinë dhe gjithashtu u shpërfaq talenti i aktorëve tanë të rinj”, ka thënë ministra e Kulturës, Vlora Dumoshi.
E për stafin e shfaqjes gjithçka u pa në fund me reagimin e publikut.
Aktorja Vanesa Petrovci, e cila luante rolin e Marias në shfaqje, është shprehur se ka mbetur e kënaqur me pritjen që publiku i bëri shfaqjes. Ndërsa e ka konsideruar ndjenjë të veçantë aktrimin në shfaqjen e babait të saj.
“Me babin kemi luajtur edhe më herët në Tiranë, e di si është të luash me babin, është ndjenjë shumë e mirë dhe nuk e kam të vështirë aspak, sa do që kam mendu që në fillim kam me pas më vështirë, por prapë me babin e kam shumë lehtë gjithçka, jemi shokë, kolegë dhe babë e bijë”, ka thënë aktorja e shfaqjes, Vanesa Petrovci.
Kurse, aktori Agron Shala, që luan rolin e inspektorit është shprehur pas shfaqjes, se rolin ia dedikon miku të tij, Shkëlzen Rracit.
“Me tërë qenien time me gjithë shpirtin tim, këtë rol ia dedikoj atij”, ka thënë aktori Shala.
Ndërsa, regjisori i shfaqjes Enver Petrovci është shprehur se teksti për këtë shfaqje është shkruar shumë vite më parë, 1989, duke u paraprirë zhvillimeve të më vonshme.
Sipas tij, nuk ishte aspak e lehtë të shkruash një tekst në atë kohë, kush shkruante KR dhe parashihej se Kosova do të bëhej republikë.
“Më besoni e shkruara dhe thosha ishalla nuk vjen dikush me ma lexu, se atëherë ishte e rrezikshme vetëm me përmend, KR, që ish Kosova Republikë, KR të shtinin në burg, dhe unë e kam shkruar këtë tekst, jo vetëm KRS, por edhe në fund shqiptarët fitojnë, Republikën”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shfaqja e sotme është realizuar duke u bazuar në tekstin që ishte shkruar 32 vjet më parë.
Në shfaqje luajnë: Blin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri.