Enver Petrovci pas shumë vjetësh kthehet në skenën e Teatrit Kombëtar
Pas shumë vjetësh, aktori Enver Petrovci kthehet në skenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Të hënën në mbrëmje, më 21 mars 2022, Teatri Kombëtar i Kosovës shfaq premierën e dramës, “Muslimani”, me tekst dhe regji të Enver Petrovcit.
Shfaqja jepet në kuadër të Skenës së vogël të TKK-së në ora 20:00.
Përveç si autor i dramës “Muslimani”, Petrovci do të shfaqet edhe si aktor së bashku me Vlora Nikçin.
Shfaqja prek një temë mjaft intriguese, martesat e përziera ndërfetare e kombëtare.
Një martesë e tillë shërbeu si inspirim për krijimin e kësaj shfaqje nga Petrovci.
“Rastësisht isha pjesëmarrës në një dasmë në Ulqin ku martoheshin një shqiptare muslimane me një malazias ortodoks. Pronari i hotelit që ishte shqiptar më tha: Neve shqiptarëve katolikë dhe muslimanë nuk na duket e pazakontë të martohemi me malazias ortodoks, por shqiptarët muslimanë dhe katolikë nuk martohen në mes vete gati kurrë’, ka shkruar Petrovci për shfaqjen.
Përkrah Petrovcit në shfaqje interpreton aktorja Vlora Nikçi.
Nikçi tha për KALLXO.com se shfaqja “Muslimani” është dramë shumë e bukur dhe aktuale. Ajo thotë se është privilegj i veçantë dhe sfidë e madhe të luash përballë Petrovcit, sidomos në dramën e shkruar nga vet ai.
“Ka vite që profesor Petrovci nuk është parë duke luajtur në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, gjë që kjo mungese e tij na ka bërë më të varfër si artist dhe shoqëri. Për mua do të jetë emblemë në karrierën time që kthimi i tij bëhet me një dramë të tij ku edhe unë jam pjesë e saj”, ka thënë ajo.