Pamje nga shfaqje ‘Muslimani’. Foto: KALLXO.com

Rikthimi triumfal i Enver Petrovcit me shfaqjen 'Muslimani’

Bindjet fetare, keqkuptimet, mungesa e komunikimeve dhe mbyllja brenda dogmave fetare, shpesh herë kanë krijuar mosmarrëveshje e probleme brenda familjeve shqiptare.

Martesat në mes të rinjve me fe të ndryshme, ishte pika kulmore e këtyre mosmarrëveshjeve. E kur i shtohet aspekti nacional, krijohet një humnerë e vërtetë në raportet fëmijë – prindër.

Një rast i tillë i ka shërbyer doajenit të skenës kosovare të teatrit, Enver Petrovci si motiv për të krijuar tragjikomedinë, “Muslimani”.

I vetmuar, Dini, një mysliman i devotshëm është mbyllur brenda mureve të banesës së tij dhe për vite vuan për shkak të martesës së vajzës së tij me një katolik. Kishte ndërprerë çdo komunikim me vajzën, pse ajo kishte zgjedhur për bashkëshort një amerikan katolik. Por, gjithçka ndryshon me shfaqjen e papritur të Nitës, e prezantuar si punonjëse sociale, Për pak javë ajo arrin ta transferojë tërësisht myslimanin e devotshëm.

Premiera e kësaj shfaqje është dhënë dje (e hënë 21 mars 2022) në Skenën e vogël në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në këtë shfaqje, Petrovci, përveç si autor dhe regjisor, është prezantuar edhe si aktor përkrah Vlora Nikçit.

Vlerësimet për shfaqjen  

Njohësit e fushës se teatrit kanë thënë për Kallxo.com pas premierës, se me shfaqjen “Muslimani” dhe me lojën e aktorëve paralajmërohen ditë të mira për teatrin kosovar.

Aktori Xhevat Limani tha se me këtë shfaqje Petrovci paralajmëron një pranverë të teatrit në Kosovë.

“Si ‘tri-autor’, autor i tekstit, regjisor dhe si kryeartist, Petrovci rikthehet triumfalisht, në një datë simbolike, 21 mars, ditën e pranverës, dhe kam bindjen se kjo metaforë nuk është bërë rastësisht, por paralajmëron një pranverë të teatrit shqiptarë në Kosovë”, ka thënë Limani, për KALLXO.com

Ndërsa, regjisorja Sevdije Ajeti, është shprehur se shfaqja tregoi për nevojën e skenës teatrore për shfaqje të tilla.

“Çka mund të veçojë është se Petrovcin e pamë në rrethana të ndryshme; të pikëlluar, të gëzuar, si prind, e i moshuar i cili  reagon në mënyra të ndryshme. Për mua, pamë një rikapitullim të gjithë punës së tij”, ka thënë ajo, për KALLXO.com.

Kurse, shkrimtari Ag Apolloni është shprehur se shfaqja shpalosi atë çfarë pritej prej aktorëve të shfaqjes, Enver Petrovcit e Vlora Nikçit.

“Pamë një performacë të shkëlqyeshme, një tekst që komunikonte me publikun dhe mesazhi u bartë nga shfaqja te publiku”, pohoi ai për KALLXO.com.

Pamje nga shfaqje ‘Muslimani’. Foto: KALLXO.com