iLFoto: KALLXO.com

VIDEO: KFOR-i vazhdon patrullimet në Jarinjë

Pjesëtarë të KFOR janë parë edhe sot derisa po patrullojnë dhe monitorojnë gjendjen në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë.

Përveç patrullimeve këmbë, KALLXO.com ka parë që pjesëtarë të misionin paqeruajtës të NATO-s janë pozicionuar edhe në një kodër në veri brenda territorit të Kosovës.

Pjesëtarët e KFOR-it po qëndrojnë pak metra larg barrikadës së parë, të ngritur nga serbët lokalë, ndërsa nga aty më pas këmbë po vazhdojnë drejt pikës kufitare Jarinjë e më pas po kthehen prapa.

Monitorimi i situatës nga ana e KFOR-it është shtuar që nga dita e diel.

Kjo pas shfaqjes se helikopterëve dhe avionëve ushtarakë të ushtrisë serbe të cilët fluturuan për tre ditë radhazi shumë afër territorit të Kosovës.

Pas kësaj ngjarjeje pati edhe reagime nga institucionet në Kosovë.

Gjatë ditës se sotme në afërsi të pikës kufitare Jarinjë janë parë numër i vogël protestuesish për dallim nga ditët e tjera.

Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me situatën e krijuar në Jarinjë e Bërnjak u finalizua gjatë ditës së sotme.

Të shtunën, sipas marrëveshjes, pritet që brenda 8 orëve qytetarët serbë të largojnë barrikadat e krijuara dhe të tërhiqet Policia e Kosovës ndërsa të vendosen ekipet e KFOR-it për të monitoruar situatën për dy javë rresht.