KFOR-i po monitoron situatën në veri të vendit nga lartë me dy helikopterë | Foto: KALLXO.com

VIDEO - KFOR-i po monitoron situatën në veri të vendit edhe nga lart me dy helikopterë

Ekipet e KFOR-it përveç monitorimit të situatës me makina me ekipe të ndryshme, tashmë janë pozicionuar në lokacione të ndryshme dhe herë pas here lëvizin, një vëzhgim po e bën edhe nga lart.

Dy helikopterë të KFOR-it janë parë gjatë ditës së sotme deri sa po vëzhgonin situatën e krijuar tri ditët e fundit në pjesën e veriut të Kosovës.

KFOR-i po monitoron situatën në veri të vendit nga lartë me dy helikopterë | Foto: KALLXO.com

Kjo pasi që janë bërë tre ditë prej kur rrugët që të dërgojnë drejtë dy pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë bllokuar.

Këto dy pika tashmë janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë së qarkullimit.

Qytetarët serbë lokalë që jetojnë në katër komunat me shumicë serbe për të shprehur pakënaqësitë në formë proteste kanë bllokuar disa lokacione të ndryshme në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Në Zveçan është bllokuar rruga kryesore në fshatin Rudarë.

Përmes kësaj rruge qytetarët e kanë të pamundur të vazhdojnë me veturë drejtë Leposaviqit e më pas Jarinjes.

barrikada
Barrikada e krijuar në fshatin Rudarë, Foto: KALLXO.com

Ngjashëm është bllokuar rruga edhe në Zubin Potok. Qytetarët kanë përdorur makineritë e rënda duke filluar me kamionë e autobusë.

Të gjitha këto makineri janë pa targa ndërsa KALLXO.com ju sjell pamje brenda kësaj barrikade.

Në mënyrë paralele të vendosura për të fortifikuar barrikadën, janë përdorur rreth 10 makineri të rënda.

KALLXO.com ka kaluar përtej kësaj barrikade që është vendosur në fshatin Rudarë dhe nga atje ju sjell pamje se si është krijuar ajo.

Gjatë kohës sa ekipi i KALLXO.com qëndronte në këtë zonë, ka parë monitorim nga afër të ekipeve të EULEX-it të cilët janë vendosur disa metra para barrikadës dhe ekipet e KFOR-it.

Para disa ditësh, një ekip i EULEX-it është sulmuar me mjete shpërthyese nga persona të dyshuar dhe të maskuar ndërsa një veprim i tillë është dënuar nga ta.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ditë më parë kërkoi nga qytetarët serb që të lejojnë qarkullimin e misioneve ndërkombëtare që punojnë në Kosovë.

Që nga e marta e javës së kaluar tensionet në veri të Kosovës janë rritur. Kjo fillimisht nisi për shkak të rezistencës së qytetarëve për të zhvilluar zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe e më pas tensionet vazhduan kur u raportua për arrestime të personave të dyshuar për sulm ndaj policisë e zyrave të KKZ-së në veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për sulm ndaj policisë në aksionin i cili është zhvilluar në tetor të vitit të kaluar.

Aksioni ishte zhvilluar kundër kontrabandës në veri të vendit.

Ish-zyrtari policor serb Dejan Pantiq është arrestuar të shtunën nën dyshimet se kishte organizuar sulmin me mjete shpërthyese në drejtim të zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Pas arrestimit të Pantiq, në veri u lëshua alarmi dhe brenda pak orëve u krijuar disa barrikada nëpër rrugët e Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për zhvillimet në këtë zonë.