(VIDEO) Kastrati ‘përplaset’ me deputetët e LVV-së: Pini naj paracetamol, ose çka pini ju LVV-ja

 

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati dhe Blerta Deliu – Kodra kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane pas “përplasjes” me anëtarët e tjerë të Komisionit dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili ishte ftuar për të raportuar.

Ardian Kastrati, deputet i PDK-së, me të marrë fjalën tha që kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka tradhtuar votuesin e tij.

“Nga lideri juaj suprem, ne kemi parë disa akte të tradhtisë gjatë këtij 20 vjeçari, për Rambujen, Ahtisarin, bashkimin kombëtar, reciprociteti dhe akti i pestë i tradhtisë po vie këto ditë. Çka keni me bo me negociatat me Serbinë, cila ka me qenë qasje juaj me SHBA-në dhe BE-në”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agon Batusha kërkoi që deputeti Kastrati të mos dalë nga tema.

Ndërsa deputeti Kastrati pati një kërkesë nga administrata, “jepja një paracetamol, nëse ka administrata, ose çka do që pinë këta të LVV-së”, tha ai.

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër për dialog refuzoi të përgjigjet në pyetjet e deputetit Kastrati, duke thënë që ai ‘nuk e meriton’

“Nuk mundesh me më thanë mua shpjego. Nuk të kam urdhërdhënës. Unë e pash që nuk di kurrgjë, dhe rrjedhimisht prej atij Ardiani që na e kemi larguar si referent para 10 viteve, për shkak të kësaj qasjeje po e shoh që jeni konsistent. Si i tillë që je, nuk meriton përgjigje nga unë”, tha Bislimi.

Ndërsa deputeti Kastrati iu kthye zëvendëskryeministrit Bislimit duke i thënë “ti je kukull, ai të ka dërguar me të pështjell me këto raporte, ti nuk përgjigjesh se nuk ke përgjigje, pije naj paracetamol”.