(Video) Berisha kërkon lirimin e policëve të Kosovës, kritikon Ramën për qasjen ndaj Kosovës
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve policor të Kosovës dje nga forcat e Serbisë ‘është akt terrorist banditesk’.
Në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, Berisha kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të ndërhyjë për lirimin e tre zyrtarëve policor.
“Rrëmbimi i policëve të Kosovës përbën një akt terrorist banditesk, një shkelje flagrante të rezultues së OKB, pavarësisë së Kosovës, marrëveshjeve që ka me NATO – Serbia”- tha Berisha.
“Në këtë kontekst i bëjë thirrje KFOR dhe komunitetit ndërkombëtar të ndërhy për lirimin e menjëhershme të policëve të rrëmbyer, rikthimin e menjëhershëm të tyre ne vendin e tyre, dhe dënimin e ati i cili sillet si një fqinj zuzar që nuk njeh ligj të brendshëm as ligj ndërkombëtar, Aleksandar Vuçiqit”- theksoi ai.
Berisha po ashtu kritikoi qasjen e kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës, duke thënë se me propozimin për asociacionin ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës.
“Në këtë kontekst paraqitja që ai ia bëri projektit të asociacionit, ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delikate në punët e brendshme të Kosovës, në një akt anti-shqiptar, duke e konsideruar Kosovën jo si një vend të pavarur por një vend vasal”- tha ai.
Berisha përmendi edhe anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverisë, duke thënë se ka qenë një provokim i madh.
“Anuloi takimin me Qeverinë e Kosovës, sepse ajo nuk pranoi të diskutoj për draftin e tij të madh të asociacionit në sirtarin e Vuçiq, ai bëri një provokacion të madh dhe përkeqësoi edhe më tej gjendjen e dialogut të vështirë mes Prishtinës e Beogradit”- theksoi ai.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, opozita ka kërkuar që të diskutohet edhe për Kosovën.
Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani ka kërkuar fjalën për procedurë që të flasë për situatën e krijuar në Kosovë pas rrëmbimit të tre policëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.
Ai tha se Shqipëria duhet të mbajë qëndrim për ngjarjet e djeshme në Kosovë.
“Të mbajmë një qëndrim sa i përket situatës në Kosovë, dhunë së ushtruar nga grupet paramilitare dhe grupet e organizuara kriminale ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Sot situata ka agravuar më tej, forcat speciale të Serbisë janë futur brenda territorit”- deklaroi deputeti.
Policia e Kosovës ka konfirmuar dje se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.
Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Tensione në Kuvendin e Shqipërisë për situatën në Kosovë, deputeti i PD-së bllokon foltoren – VIDEO