Vetëvendosje mbështet propozimin për shkurtimin e fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit

Lëvizja Vetëvendosje është pajtuar që fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit të jetë më e shkurtër se një muaj, varësisht nga rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, tha se janë të hapur për bashkëpunim.

Sot gjatë ditës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thanë se janë pro shkurtimit të fushatës për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor.

“Ne mbështesim propozimin që fushata zgjedhore të jetë sa më e shkurtër, varësisht nga rekomandimet e IKShPK-së”, tha ai për KALLXO.com.

“Beteja me pandeminë është betejë e përbashkët sepse të gjithë përballemi me të njëjtin rrezik, pa dallim. Prandaj, sikurse në Qeverinë Kurti 1, ne jemi të hapur për bashkëpunim”, deklaroi Kryeziu.

Por, Kryeziu tha se presin një bashkëpunim nga të gjithë rreth manaxhimit të pandemisë, e jo shpërndarjen e dezinformatave.

“Por, siç ka deklaruar dje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkëpunim është edhe atëherë kur nuk pengohen përpjekjet e Qeverisë për menaxhimin e pandemisë, edhe atëherë kur nuk përhapen dezinformata për vaksina dhe afatin e tyre, e edhe kur respektohen masat e Qeverisë. Andaj, le të fillojmë nga kjo formë e bashkëpunimit”, deklaroi ai.

Memli Krasniqi deklarohet për shkurtimin e fushatës zgjedhore

www.kallxo.com