Memli Krasniqi deklarohet për shkurtimin e fushatës zgjedhore

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se në subjektin e tij ka mendim se duhet të diskutohet shkurtimi i fushatës zgjedhore.

Kjo deklaratë e Krasniqit, vjen pasi gjatë ditës së sotme lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga krerët e tri subjekteve më të mëdha LVV, PDK dhe AAK që të shkurtohet fushata zgjedhore nga 30 në 10 ditë.

“Ka një mendim se duhet të diskutojmë për të dakorduar një fushatë të shkurtuar. Besoj që të gjithë pa dallim të gjithë duhet ta kemi prioritet shëndetin publik”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se duhet të diskutohet dhe të marrin vendimet e nevojshme për të siguruar përmirësimin e situatës.

“Padyshim që çka do që duhet është e nevojshme të ndërmerret për të siguruar një përmirësim të situatës dhe për të ruajtur maksimalisht shëndetin e qytetarëve tanë është e nevojshme të diskutojmë dhe të marrim vendime. Unë e konsideroj shumë të rëndësishme që zgjedhjet e 17 tetorit të zhvillohen pa dyshim në nivelin e transparencës dhe demokracisë që tashmë e kemi dëshmuar”, tha Krasniqi.

Përgjigje ftesës së Abdixhikut gjatë ditës së sotme i ka kthyer edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj.

Haradinaj, përmes një letre dërguar Abdixhikut, ka thënë se qëndrimi i AAK-së, është që fushata të shkurtohet edhe më shumë, në 5 ditë.

KALLXO.com ka provuar të marr përgjigje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë çështje por ende nuk kanë kthyer përgjigje.