Vetaksidentohet një kamion në autostradën "Arbën Xhaferi", vdes shoferi

Shoferi i një kamioni ka mbetur i vdekur pas një vetaksidenti në Autostradën “Arbën Xhaferi” sot rreth orës 15:40.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se në aksident është përfshirë vetëm kamioni i cili ka përfunduar jashtë autostradës.

“Ekipi mjekësor ka konstatuar se drejtuesi i kamionit është pa shenja jete”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Krasniqi gjithashtu bëri të ditur se Policia, prokurori dhe njësi tjera kanë dalë në vendin e ngjarjes për të realizuar procedurat lidhur me aksidentin

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar edhe për një vdekje në po të njëjtën autostradë.

Policia kishte njoftuar që një person ka vdekur pas një vetaksidenti që ndodhi dje në Autostradën ‘Arbën Xhaferi’.

Në njoftimin e Policisë ishte treguar se vetura ka goditur shtyllën e urës në autostradë.

Tutje ishte thënë se me urdhër të prokurorit trupi i viktimës ishte dërguar në Institutin e mjekësisë ligjorë për autopsi.