Kadri Veseli - Kryetar i PDK-së

Veseli sot intervistohet nga Specialja

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot do të intervistohet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Paraqitja e Veselit para Speciales paraparë për datën 4 dhjetor, por për shkaqe teknike është shtyrë për sot.

Kreu i PDK-së u nis gjatë mesditës të së hënës për në Hagë dhe tha se ky është një moment ndërkombëtarë për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës së popullit të Kosovës.

“Gjykata Speciale është sfidë përballë krimeve makabre serbe, por në të njëjtën kohë është një moment ndërkombëtarë për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës së popullit të, luftës së UÇK-së. Çdo luftëtar i lirisë është krenar që ka pas fatin t’i shërbejë atdheut të vet. Edhe unë jam shumë krenar, e falënderoj Zotin për këtë. Dua të rikonfirmoj edhe njëherë se me asnjë gjë nuk e ndërroj asnjë pjesë të asaj jetës sime krenare. Historia e UÇK-së është historia e të drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, tha ai pak para nisjes.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media