Veseli: Refuzimi i LVV-së ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese

Lideri opozitar Kadri Veseli, ka thënë se refuzimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ta dërguar emrin e mandatarit te presidenti i vendit ka imponuar këtë vendim “të drejtë” dhe “të pritur” të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, LVV dëshiroi ta evitonte mundësinë për të qeverisur, me shpresë se do të përfitonte më shumë, siç thotë ai, duke manipuluar me emocionin qytetar.

“Një vendim i pritur nga Gjykata Kushtetuese, i cili në bazë ka vitin 2014 kur VLAN tentoi ta deformonte vullnetin qytetar. Refuzimi i LVV-së për ta dërguar te Presidenti i vendit, për herë të dytë, emrin e mandatarit për Kryeministër, ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar kreu i PDK-së.

Veseli ka shkruar se tani, demokracia e Kosovës është në momente vendimtare, ashtu siç është edhe e ardhmja e shtetit.

“LVV tashmë është brenda skenarit të saj të paramenduar. Dëshiroi ta evitonte mundësinë për të qeverisur, me shpresë se do të përfitonte më shumë duke manipuluar me emocionin qytetar”, ka shkruar kryetari i PDK-së në rrjetin social “Facebook”.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur mbrëmë aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurti: I papranueshëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese

.